Protestat në Tiranë dhe vrasja e 25-vjeçarit nga policia kanë sjellë reagime të forta në vend. Protestuesit kanë sulmuar institucionet dhe janë përplasur me policinë, por sjelljet e tyre agresive nuk mbështeten nga të gjithë.
Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka folur për këtë çështje duke thënë se dhuna është orkestruar nga PD dhe LSI. Më tej Spahiu sqaroi dhe arsyen pse opozita rri e fshehur pas organizimit të dhunës së institucioneve. “Protesta ka nisur spontanisht, por dhuna a është spontane?
Padyshim, që jo. Dhuna në këto protesta është bërë nga PD dhe LSI. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 1 vit më parë, nga Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer, i janë drejtuar drejtpërdrejt Z. Basha dhe Znj. Monika Kryemadhi, që nëse do vazhdojnë protestat e dhunshme, ato do të dalin jashtë agjendës diplomatike dhe do konsiderohen si organizata të dhunshme”, tha ai.
Teksa bëri një krahasim të ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë ku u vra nga policia 25-vjeçari dhe vrasjet e 21 janarit ai u shpreh se për vrasjen e të riut polici u arrestua menjëherë, ndërsa për vrasjet e 21 janarit nuk pati asnjë të arrestuar, ndërsa vijoi më tej duke thënë se pas protestave fshihet opozita.
“Po të marrim në analogji të ngjarjeve, për vrasjen e Klodian Rashës polici u arrestua brenda disa orësh, për vrasjet e 21 Janarit ministri i Brendshëm Lulzim Basha nuk i dorëzoi gardistët. Për vrasjen e Klodjan Rashës ministri dha dorëheqjen, ndërsa ministri Lulzim Basha jo që s’dha dorëheqjen, por është kandidat edhe për kryeministër.
Për vrasjen e Klodjan Rashës shteti shkoi për ngushëllim në shtëpinë e të ndjerit, për vrasjen e 21 Janarit nuk shkoi askush nga shteti, por shkuan të bënin pazar për të mbyll dëshmitë. Ne duhet të jemi të ftohtë, të bëjmë analogji për dy ngjarjet dhe të gjejmë kurajën të themi: Janë të ligjshme protestat, po janë. Legjitimohet dhuna e qytetarëve, po legjitimohet. A është nga pas opozita, po është. A është në të drejtën e opozitës ta shndërrojë në kauzë, padyshim që është”, tha Spahiu.
Ngjela akuza politikës
Ndërkohë edhe avokati i njohur Spartak Ngjela ka hedhur akuza në drejtim të politikës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai u shpreh se në këtë vend nuk ka shtet, ndërsa theksoi se policia nuk duhet ti kishte lejuar protestuesit që të shkatërronin vendin.
“Sot në Shqipëri nuk ka shtet që të jetë me shqiptarët. Të gjithë të korruptuarit e mëdhenj janë me halabakët që thyejnë qytetin, se, ata që po i paguajnë duan destabilizim të gjendjes në Shqipëri. Si mund të lejojë policia njëqind halabakë të Saliut, ardhur nga skutat primitive të Shqipërisë, të thyejnë dhe plaçkitin Tiranën? Gjithë Policia e Shtetit duhet të vijë këtu dhe t’iu tregojë vendin vandalëve. Policia, kundrejt dhunuesve të ligjit, është forcë, nuk është përkëdhelje”, tha ai.
Ndër të tjera Ngjela u shpreh se të korruptuarit sipas tij vodhën shqiptarët dhe tani duan të shkatërrojnë vendin, ndërsa theksoi se Uashingtoni duhet të kërcënojë rreptë kryeministrin Rama, Berishën si edhe kreun e PD Lulzim Basha. “Nëse policia nuk vjen në Tiranë me mjete, atëherë kuptohet se nuk e lë kryeministri. Nëse nuk e lë kryeministri, kryeministri është me ta, se ka frikë nga reforma antikorrupsion. Asnjë nga këta të korruptuar nuk është me shqiptarët.
Pasi i vodhën shqiptarët dhe u kapën në vjedhje, tani duan të shkallmojnë Shqipërinë, që të shpëtojnë gjënë e vjedhur. Me një grup halabakësh primitivë, shumica kalamaj, të paguar nga korrupsioni i lartë. Po Uashingtoni, a do t’i kërcënojë? Duhet t’i kërcënojë rreptë që të tre: Ramën, Berishën dhe Bashën. Që të tre janë pas vandalëve”, tha ai.