Çdo ditë që kalon drejt zgjedhjeve të 25 prillit, aq më shumë shtohen rreziqet për kandidimin e Sali Berishës në zgjedhjet e 2021.
Basha pritet që në ditët në vijim të publikojë listën e kandidatëve për deputetë. Në mbledhjen me aleatë javën që lamë pas ai iu tha se brenda 10 ditëve gjithçka do jetë gati, nga strategjia e zgjedhjeve te kandidatët. Por para se të merret ky vendim, duket se në lojë kanë hyrë amerikanët.
Mbrëmjen e së shtunës Basha ka pasur një darkë me ambasadoren Yuri Kim ku një ndër temat kryesore të diskutuara është ajo e kandidatëve në zgjedhje. Në shumë media është aluduar mbi takimin, por ishte vetë ambasadorja amerikane ajo e cila shoi zërat duke vënë pikat mbi “i”.
“Sonte u takova me Kryetarin e PD Lulzim Basha. Diskutuam rolin thelbësor të opozitës në demokraci, pikëpamjet e opozitës mbi çështjet kryesore dhe përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit. Të gjitha partitë duhet të sigurojnë kandidatë të pastër. SHBA do të bëjë pjesën e vet për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri”, shkruan Kim.
Ambasadorja në deklaratën e saj e ka bërë të qartë se aty është folur dhe për listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Pak kohë më parë pati reagime të forta nga SHBA, sidomos kur u përfol se Gjin Gjoni do të kandidonte si deputet në radhët e PD.
Ambasadorja reagoi menjëherë duke kërkuar që të bëhet kujdes me kandidatët. Por fakti që SHBA interesohet për listat e deputetëve duket se është jo në interes të ish-kryeministrit Berisha. Ky i fundit ka disa ditë që kërkon revolta e protesta, ndërsa Basha me takimin që ka pasur tregoi se ai është me amerikanët dhe jo me ish-kryeministrin apo presidentin. Këta të dy u kanë hedhur benzinë protestave të ditëve të fundit, por ambasadorja me nga një telefonatë që pati me liderët e PS, PD dhe LSI bëri që protestat të mbyllen.
Fati i Berishës dhe përplasjet me SHBA
Sali Berisha kohët e fundit nuk i ka aspak mirë marrëdhëniet me amerikanët. Ambasada i ka refuzuar vizën disa vite më parë dhe ish-kryeministrit thuhet se është i padëshiruar nga Uashingtoni. Nga ana tjetër ai shumë herë e ka vënë Bashën mes dy zjarreve, ku lideri i PD duhej të zgjidhte mes tij dhe SHBA.
Basha gjithmonë është rreshtuar krah amerikanëve duke braktisur Berishën, sidomos gjatë protestave që ndodhën një vit më parë. Ndërkohë Basha i ka dërguar disa mesazhe Berishës përmes Genc Rulit se ka ardhur koha të pensionohet. Zërat në PD thonë se janë amerikanët ata që nuk e duan Berishën. Ky i fundit po sulmon fort reformën në drejtësi dhe ndërkombëtarët gjë që nuk pëlqehet nga amerikanët.
Fakti që dje në takim Basha ka biseduar me Kim mbi emrat që do të fusë në Parlament është një sinjal se telashet për ish-kryeministrin po shtohen. Nga ana tjetër edhe presioni mbi Bashën po shtohet, i cili sërish është mes dy zjarreve, por këtë herë vendimi mund të ketë shumë pasoja. Për këtë arsye Basha po i dërgon mesazhe Berishës që të largohet me dëshirë në mënyrë që të mos ketë krisje në parti.
Afrimi i Bashës me amerikanët
Ajo që bie në sy është se ka një lloj afrimiteti mes Lulzim Bashës dhe ambasadores Yuri Kim. Gjatë diskutimeve për reformën zgjedhore Kim e ftoi Bashën në një darkë në rezidencën e saj, ndërsa të shtunën darkuan po bashkë. Pra duket se ka një lloj miqësie mes tyre. Por nga ana tjetër në aspektin institucional duket se amerikanët janë disi më ndryshe. Në rastin e protestave dhe djegies së mandateve SHBA ka qenë kritike me PD dhe LSI. Po ashtu dhe te reforma zgjedhore apo protestat e ditëve të fundit.