Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i ka dalë në mbrojtje drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor, Genoveva Ruiz Calvera dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë Luigi Soreca pasi ditët e fundit në media janë akuzuar nga eksponentë të opozitës se favorizojnë kryeministrin Edi Rama.
Deputeti socialist Taulant Balla i quan sulme të ulta dhe të pabaza, që konfirmojnë pamundësinë e PD-së për tu reformuar dhe çliruar nga zaptimi 30 vjeçar i një sekretari të PP.
“Sulmet e ulta dhe të pabaza të kryetarit de facto të SHQUP-it Sali Berisha kundër përfaqësuesve të Bashkimit Europian, janë konfirmim i pamundësisë së kësaj partie për tu reformuar dhe cliruar nga zaptimi 30 vjeçar i një sekretari të PP.
Ato konfirmojnë edhe pamundësinë e drejtorit de jure të PD Lulezim Basha për tu distancuar nga kjo politikë qorre. Qoftë kur sulmohen partnerët e Shqipërisë apo përfaqësuesit e tyre, qoftë kur sulmohen dhe vandalizohen institucionet apo prona publike.
Më shumë se 90% e shqiptarëve mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mirënjohje BE dhe përfaqësuesve të saj për angazhimin e vazhdueshëm në dobi të reformave si dhe në programet e shumta të asistencës dhe ndihmës për Shqipërinë”, shprehet Balla.