Prokuroria e Posaçme ka shtrirë hetimet edhe jashtë vendit për disa zyrtarë të lartë në vend të dyshuar për përfshirje në afera korrupsioni.
Një ditë më parë gazeta bëri të ditur se ishin 209 zyrtarë në hetim për korrupsion, por 8 prej tyre janë duke u hetuar edhe jashtë vendit, pasi kanë kryer aktivitet jashtë dhe për më tepër dyshohet se kanë dërguar pasurinë jashtë vendit. Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, janë nisur disa kërkesa jashtë vendit që kanë të bëjnë me hetime në fushën e veprave penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”,
“Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 244, 319, 319/ç të Kodit Penal, të cilat zënë 4,6% ose 3 prej numrit total.
Po më tej bëhet me dije se gjatë vitit që lamë pas, ka pasur letër-porosi në disa shtete edhe për 5 persona të tjerë të akuzuar për disa vepra penale. Në listë janë dhe disa gjyqtarë dhe prokurorë. “Kërkesat në lidhje me hetime në fushën e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e lidhur me subjektet e Prokurorisë së Posaçme, “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”,
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë“, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,
“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, parashikuar nga nenet 248, 244, 258, 319, 319/ç, 258, 260 të Kodit Penal, zënë 12,8 % ose 5 prej numrit total”, thuhet në dokumentin e SPAK të siguruar nga gazeta. Sipas burimeve, një ndër emrat për të cilët SPAK ka kërkuar ndihmën e partnerëve është ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla. Për të është bashkëpunuar me Gjermaninë dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë në listë janë dhe 7 të tjerë.
Zbulimi i parave korruptive
Shumë politikanë në vend kanë kryer për gati 30 vite veprimtari korruptive. Deklarimi i pasurive nis në vitin 2003 dhe para kësaj date ka shumë emra që kanë bërë shumë zullume. Por akoma më i madh është numri i atyre që kanë vjedhur hapur, duke deklaruar pasuri miliona eurosh në ILDKP. Mirëpo ka dhe nga ata që i kanë dërguar paratë jashtë vendit. Një emër mjaft i njohur ka dërguar miliona euro në Londër.
Shumë të tjerë kanë dërguar po miliona euro në parajsat fiskale. Vetë Drejtoria e Pastrimit të Parave në raportet vjetore ka dhënë alarmin se si po pastrohen paratë, ndërsa ka pasur raste që janë dërguar para me valixhe. Gjatë viteve të fundit të qeverisë demokratike disa emra kanë dërguar para në Qipro dhe në Maltë apo Zvicër me helikopterë.
Fakti që SPAK po bashkëpunon me institucionet ndërkombëtare për emrat e zhytur në afera korrupsioni tregon se në muajt apo vitet në vijim do përsëritet skenari kroat. Në Kroaci Ivo Sanader u dërgua pas hekurave duke gjurmuar paratë. Kështu shpresohet të ndodhë dhe te ne.