Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, ka zhvilluar ditën e djeshme mbledhjen e radhës. Ndër të tjera komisioni ka miratuar edhe ndryshimet e propozuara nga qeveria përmes një akti normativ, në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore”. Ky ndryshim i cili parashikon se në rast të “vrasjeve aksidentale” nga policia të një personi, familja e tij do të marrë pension të posaçëm nga shteti.
Sipas ligjit parashikohet se nëse një person humb jetën në mënyrë aksidentale nga një punonjës i policisë, atëherë familja e personit që humb jetën do të marrë ndihmë.
“Ndryshimi me akt normativ ka si qëllim dhënien e një ndihme, me karakter të përhershëm, familjes së personit që humb jetën aksidentalisht si rezultat i veprimeve që një punonjës i organeve ligjzbatuese ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet ndër të tjera në ligjin e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë.
Ndër të tjera në ligjin e miratuar theksohet se trajtimi financiar për familjen shkon në masën tetëfish të masës së pensionit social që do të financohet nga buxheti i shtetit. Sa i përket vlerës së ndihmës sipas ligjit ajo shkon afërisht në shumën 61 000 lekë në muaj.
“Familja, e cila ka humbur aksidentalisht pjesëtarë të saj, si pasojë e veprimeve të kryera gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës të organeve ligjzbatuese, përfiton trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social.
Trajtimi i veçantë financiar dhe anëtari që përfiton në emër të familjes, përcaktohet me vendim individual të Këshillit të Ministrave dhe financohet nga buxheti i shtetit. Sipas përcaktimit të mësipërm, familja e të ndjerit përfiton trajtim financiar në masën e tetëfishit të pensionit social (afërsisht 61 000 lekë në muaj) dhe është mbi nivelin e pagës mesatare duke kompensuar mungesën e të ardhurave për familjen nga humbja e jetës”, thuhet ndër të tjera në Aktin Normativ. Ky akt normativ mori shkas nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga një efektiv policie, më datë 8 dhjetor të këtij viti.
Për të ofruar mbështetje ndaj familjes së të ndjerit, qeveria miratoi një VKM, në të cilën i jep familjes së tij një pension mujor.