Edhe pse në 19 dhjetor të këtij viti u shënua plot një vit nga krijimi i saj, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbetur “në vend numëro” sa i takon çuarjes përpara të luftës kundër korrupsionit në nivel të lartë zyrtarësh.
Shkak është bërë fakti se SPAK ka në hetim dhe gjykim me qindra dosje “banale” apo të dorës së dytë, të cilat kanë mbytur gjykatën e prokurorinë, duke mos i dhënë hapësirë për të shqyrtuar dosje më të rëndësishme të cilat janë në pritje.
Por gazeta ka mësuar se Prokuroria Speciale do të shtojë numrin e prokurorëve, pasi numri i madh i dosjeve që kanë kaluar për hetim në këtë prokurori ka rritur ndjeshëm nevojën për më shumë staf, për të përballuar volumin e madh të dosjeve të krimit dhe korrupsionit.
SPAK hetim korrupsionit në nivel politik
Kështu që në muajt e parë të vitit 2021, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Të Organizuar do të ketë 20 prokurorë nga 13 që ka aktualisht. Propozimi për shtimin e numrit të anëtarëve të SPAK-ut është bërë nga drejtuesi i saj, Arben Kraja, i cili ka kërkuar edhe një opinion paraprak nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë.
Këto institucione kanë mbështetur kërkesën e kreu të SPAK për shtimin e organikës. Dhe mësohet se në bazë të këtyre opinioneve, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, do t’i drejtohet Kuvendit, për miratimin e shtimit të numrit të prokurorëve.
Vendimi do të jetë formal, pasi Kuvendi, në buxhetin e miratuar për SPAK për vitin 2021, ka përcaktuar fondin për prokurorët shtesë të strukturës kundër krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. SPAK ka nisur punën në vitin 2019 dhe sipas ligjit duhet të përbëhet nga 15 prokurorë, por sot kjo strukturë ka vetëm 13 prokurorë. Për dy prokurorë nuk ka përfunduar ende procedura e emërimit, pasi janë në proces vetingu.
Me lëvizjen e fundit, SPAK-ut do t’i shtohen edhe 7 prokurorë, pesë të rinj dhe dy që janë në proces rekrutimi. Ndërkaq mësohet se ka edhe një propozim tjetër, të cilën gazeta e ka ngritur më herët si shqetësim, sikundër është heqja nga kompetenca e SPAK-ut e korrupsionit në nivelet e ulëta, siç janë disa raste të korruptimit të policëve rrugorë me 500 lekë.
Propozimi është bërë nga vetë SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe faktorët ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë nga Kuvendi që të ndërhyjë në ligj. Kjo do të thotë se nëse Kuvendi do ndryshojë ligjin, kjo do të sillte një ulje të madhe të ngarkesës së SPAK-ut, për t’u fokusuar vetëm te korrupsioni dhe krimi në nivele të larta.
Pra me fjalë të thjeshta, përmes kësaj që drejtuesi i Prokurorisë Speciale, Arben Kraja pritet t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, SPAK kërkon të fokusohet vetëm te korrupsioni në nivel politik. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Statistikat
Kujtojmë që në 19 dhjetor Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përmbledhur rezultatet e punës së një viti, ku janë regjistruar gjithsej 225 procedime penale me 271 persona në hetim, nga të cilat 174 persona në hetim janë regjistruar për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar.
Sipas SPAK, 28 persona në hetim janë regjistruar për veprat penale që lidhen me korrupsionin, ndërsa 69 persona në hetim janë regjistruar për vepra të tjera penale. Janë dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 59 kërkesa për gjykim, kundër 219 të pandehurve. Nga këto 16 kërkesa për gjykim, kundër 117 të pandehurve, janë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, ndërsa 39 kërkesa për gjykim, kundër 63 të pandehurve, lidhen me korrupsionin.
SPAK ka hetuar 310 raste hetime pasurore për një vit dhe ka dërguar në gjykatë 11 kërkesa për sekuestro, për 4 raste është kërkuar konfiskimi i pasurisë së sekuestruar.