Gjykata Kushtetuese pritet të jetë funksionale brenda vitit. Dje u betua Altin Binaj, ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u mblodh dje pasdite për të vendosur mbi kandidatët Përparim Kalo dhe Aleksandër Toma, të kualifikuar për vakancën e datës 24.09.2020 të shpallur nga Presidenti i Republikës.
KED vendosi kualifikimin e tyre dhe dërgimin e listës pranë institucionit të Presidencës. Por duke qenë se zoti Binaj tashmë është zgjedhur, presidenti duhet të zgjedhë mes Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos. Ajo që bie në sy është fakti se në këtë vakancë nuk ka njerëz politikë.
“Lidhur me procedurën e ndjekur për vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi: Përfundimin e procedurës së, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes nga kandidimi, Z. Altin Binaj, për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur në datën 24.09.2020.
Kandidatët e tjerë për këtë vend vakant, Z. Aleksandër Toma dhe Z. Përparim Kalo janë paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e tyre në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese. Pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve, KED vazhdoi me pikëzimin dhe renditjen e tyre”, njoftoi KED.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur në datën 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës.
I lidhen “duart” Metës
Për gati një vit u bë luftë e fortë në prapaskenë dhe presidenti bëri të gjitha lëvizjet që në të tre vakancat e tij të vihen emra besnikë. Te vakanca e parë ia doli duke emëruar zonjën Xhaferllari, ndërsa te dy të tjerat situata është më ndryshe. KED ka dhe një vakancë tjetër në dorë dhe mbetet të shihet se çdo të ndodhë, por për vakancën e shqyrtuar dje, presidenti i ka “duart e lidhura”.
Aleksandër Toma është shef kabineti në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë zoti Kalo është avokat i njohur. Pra kemi dy emra aspak të ndikuar politikisht duke shtuar mundësitë që të kemi një gjykatë sa më të drejtë. Pak ditë më parë vetë Meta akuzoi sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë se ka skualifkuar shumë kandidatë në mënyrë që Metës t’i shkojnë në tryezë emra të caktuar. Kjo tregon qartë se kreu i shteti nuk është i kënaqur me emrat në fjalë.
Manovrat me ligjin
Një tjetër lëvizje që i hoqi mundësinë presidentit të fuste njerëzit e tij në këtë vakancë është anashkalimi i përcaktimit se duhet të dërgohen 3 emra. Ligji e ka të përcaktuar qartë se duhet të dërgohen 3 kandidatë në Presidencë dhe Kuvend për çdo vakancë.
Por duke qenë se ky numër nuk u arrit dhe situata është emergjente, u ra dakord që të dërgohen aq emra sa kanë mbetur. Në kushte normale gara duhej të rihapej dhe të kandidonin emra të rinj, por në kushte aktuale kjo nuk do të ndodhë dhe kreu i shteti është kapur ngushtë.