Ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta duket se janë në një linjë sa u takon skenarëve se çfarë duhet të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2021.
Të dielën e 25 prillit të vitit tjetër qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur deputetët që do t’i përfaqësojnë për katër vitet e ardhshme.
Por nëse opozita e bashkuar e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do t’ia arrijë të fitojë këto zgjedhje, dy emrat e sipërpërmendur janë të vendosur për të mos pranuar humbjen dhe madje nuk ngurrojnë që të bëjnë çmos për të çuar vendin në kaos pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Meta-Berisha në një linjë, përgatiten për dhunë
Shkëndijën apo sinjalin e parë e ka dhënë presidenti Ilir Meta, i cili kohët e fundit ka bërë herë pas here thirrje publikisht për dhunë, nëse do të preken zgjedhjet e ardhshme. Jo më larg se para dy ditësh teksa zhvilloi një takim me një përfaqësi të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), Meta u shpreh se ka ardhur koha që rinia të marrë në dorë fatet e vendit, pasi sipas tij, është e vetmja rrugë në një kohë që përballë është një qeveri arrogante si ajo e Edi Ramës.
“Ka ardhur koha për një restart, për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendit. Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar, veçanërisht për refuzimin e falsitetit të këtij sistemi, që nuk i dëgjon, nuk i përfshin dhe nuk iu jep asnjë mundësi të rinjve. Kjo është një luftë që duhet ta fitojmë sepse nuk kemi rrugë tjetër”, deklaroi ai.
Ndërkohë po dje, përmes një statusi të shkurtër në rrjetet sociale, presidenti Meta sërish ka bërë thirrje për përmbysje të sistemit. “Koha për të refuzuar falsitetin e këtij sistemi, që nuk i dëgjon, nuk i përfshin dhe nuk iu jep asnjë mundësi të rinjve”, shkruan Meta.
Po ashtu edhe pak ditë më parë presidenti Meta ka bërë thirrje të forta, duke u shprehur se nëse do të preken votat në 25 prill do të ketë prerje duarsh për policët apo komisionerët. Por në një linjë me Metën është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka kërkuar dhunë nëse opozita do të humbasë zgjedhjet.
“Opozita duhet të përgatitet për ditën më paqësore me votën e saj më 25 prill, por njëkohësisht duhet të jetë gati për një 20 shkurt të dytë. Në 20 shkurt shqiptarët përmbysën në pamje të parë një bronz, por në të vërtetë një kult më të keqin që kishin patur në histori. Nëse iu dhunohet vota, opozita do të përmbysë më 25 prill kultin e më të ligut që kanë pasur pas Enver Hoxhës, që grabit zgjedhësit, për një kryebandit që nuk njeh normë, nuk njeh ligje, moral dhe nuk respekton asgjë”, deklaroi dy ditë më parë Berisha. Pra, duket qartë që si Meta dhe Berisha po i dërgojnë mesazh Bashës që të çojë vendin në kaos pas 25 prillit.
Presione e paralajmërime ndaj Bashës
Por përveç kërcënimeve publike, gazeta ka mësuar se ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta kanë shtuar mesazhet kërcënuese dhe presionet edhe në prapaskenë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mënyrë që ky i fundit të pranojë zgjidhjen e tyre. Sipas informacioneve, mësohet se Meta dhe Berisha i kanë kërkuar kohët e fundit Bashës që të përgatitet për çdo skenar dhe se për ta nëse opozita e bashkuar do të humbë zgjedhjet e ardhshme vendi duhet të shkojë në kaos, tym e flakë, ku të gjithë duhet të bëhen bashkë për të rrëzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Madje, sikundër theksojnë të njëjtat burime kreu i shtetit dhe ish-kryeministri ia kanë bërë të qartë shefit të selisë blu që pas 25 prillit protestat e opozitës duhet të jenë të forta dhe jo shëtitje si ato të një viti më parë. Megjithatë, presionet e dyshes Meta-Berisha nuk janë të vetmet që kanë shkuar në adresë të Bashës, pasi edhe media pranë LSI kërkojnë herë pas here që lideri opozitës të nxjerrë qytetarët në shesh për të protestuar, me qëllim rrëzimin e qeverisë “Rama”./Rigels Seliman