Bujar Nishani i ftuar mbrëmjen e sotme në Report Tv ka diskutuar në lidhje me kërkesat që i kanë vajtuar Adriatik Llallës në kohën që mbante postin e Prokurorit të Përgjithshëm për arrestimin e politikanëve.
Duke i’u referuar rastit të ish kryeministrit Sali Berisha, Nishani ka deklaruar se është e vërtetë që Vlahutin ka kërkuar arrestimin e tij.
“Po, është e saktë. Kam qenë unë që e kam vënë në dijeni Berishën. E kam pasur këtë informacion dhe nga burime të tjera. Llalla ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se gjatë një bisede, rreth një muaj apo dy pas bisedës, ku i ishte kërkuar nga Vlahutin pse nuk arrestohet Berisha. Më tej, argumentet shpjeguese, sipas Llallës, kanë qenë që Prokuroria nuk mund të arrestojë njerëz për të cilët nuk ka prova dhe fakte.
Ishte një bisedë që më shqetësoi dhe nuk mund ta lija në heshtje, pasi bëhej fjalë për një bisedë tërësisht jashtë kontekstit që ka ambasadorja. Kërkova takim me Vlahutin, i shpreha shqetësimin që mora nga Llalla. Ajo e mohoi kategorikisht që të ketë bërë një bisedë të tillë me Llallën. Në radhë të parë vura në dijeni Vlahutin, që e mohoi. Bëra takim tjetër me Llallën, e vura në dijeni që bisedën e ndava me Vlahutin dhe i thashë që ajo e mohon. Llalla i qëndroi edhe pas takimit të dytë”, tha Nishani.