A je ndalur për një sekondë dhe ke menduar për dhimbjen që mund të jem duke përjetuar?
Ishte viti 1966 dhe një grua ishte shtatzënë me fëmijën e saj të dytë. Pas shumë diskutimeve (dhe shumë përpjekjeve të pasuksesshme për të bindur babanë e fëmijës për ta mbajtur atë), ajo nënshkroi dokumentet e adoptimit.
Menjëherë më pas, fëmija që ajo donte aq shumë ta mbante, u zhvendos në një institucion ku duhet të priste adoptimin nga një familje tjetër.
Tre muaj më vonë, ky fëmijë u adoptua dhe gruaja mund të pushonte e qetë tani që fëmija i saj e kishte siguruar një jetë më të mirë.
Fëmija ishte një vajzë dhe ajo vajzë jam unë. Por unë nuk kam pasur një jetë më të mirë, jo aspak.
Natyrisht, për të tjerët, gjithçka ishte e mrekullueshme. Me familjen afër, një shtëpi të madhe pranë liqenit dhe pushime të bukura çdo verë, të gjitha këto më janë ofruar. Prindërit e mi adoptues ishin anëtarë të shoqërisë së lartë dhe ata kishin punë të rëndësishme.
Unë kisha një vëlla, që u adoptua gjithashtu. Ai ishte i preferuari i familjes. Fatkeqësisht, nuk isha në gjendje të futem në atë familje të idealizuar.
Isha gjithmonë një e jashtme që gjithmonë kërkonte të futej brenda, duke menduar dhe duke pritur për momentin që dikush do të më shihte, me të vërtetë do të më shihte për atë se kush jam – ose të paktën se isha aty prezente.
Doja të isha e rëndësisshme!
Unë ende dua të vlej. Kam jetuar në hijen e vëllait tim dhe fëmijës së vdekur të prindërve të mi. Unë kurrë nuk jam krahasuar me ta dhe unë nuk pranova të jem ajo që ata prisnin që unë të jem.
Gjithë fëmijëria ime kaloi duke dëshiruar që dikush të më donte. Dhe kur ata nuk e bënë, ky ishte konfirmimi i asaj që besoja gjatë gjithë kohës: Nuk jam mjaftueshëm e mirë. Nuk jam për t’u dashur.
Kjo është një letër për nënën time biologjike.
Për ty, nëna ime biologjike:
Pyesja veten se çfarë bëra gabim që më largove nga vetja dhe më vure në një familje që nuk më donte.
Kam sajuar lloj-lloj historirash për ty.
Pyesja veten se kush jam unë dhe kur një nga fëmijët e mi më pyeti se kujt mund t’i ngjante, ishte e qartë se rrënjët e mia nuk diheshin dhe nuk kisha çfarë përgjigje t’i jepja. Nuk është thjesht kurioziteti im, por edhe kurioziteti i fëmijëve të mi.
I bëra një kërkesë agjencisë së birësimit për të parë nëse do të më takoje. Më telefonuan më pas duke më thënë se të kishin gjetur dhe se ti e kishe refuzuar kërkesën time.
Ti the se nuk doje të rihapje një plagë të vjetër, se do të ishte shumë e dhimbshme për ty.
Shumë e dhimbshme? Do të thuash si dhimbja në zemër që përjetova kur të tjerët përtej telefonit më thanë se më kishe refuzuar sërish?
A je ndalur për një sekondë dhe ke menduar për dhimbjen që mund të jem duke kaluar unë? A e ke menduar se si është të refuzohesh për herë të dytë, nga nëna jote biologjike? A i shqyrtove ndikimet që adoptimi do të kishte në mua?
Jo. Nuk i bëre atëherë dhe nuk po e bën tani. Faleminderit që mendove vetëm për veten tënde. Sërish edhe një herë.
Ishe e frikësuar se ndoshta nuk do të përshtatesha me ju, familjen e re? Ndoshta mendoje se vajza jote e humbur gjatë kësaj kohe është një e droguar dhe do të të sjellë telashe të reja. Apo ndoshta do të të kujtoja se çfarë kishe atëherë, por nuk e ke më tani?
Mund të kishte qenë një fillim i ri, ky takimi ynë.
Ti hoqe dorë një herë nga unë por ne mund ta kishim provuar me këtë shans të dytë, por ti më the jo. Ke menduar vetëm për veten. Ti më theve zemrën.
Ti më konfirmove përsëri atë që kisha ndier dhe ja thosha vazhdimisht vetes ndërkohë që rritesha: Se unë jam e padobishme dhe nuk do të vlej për asgjë.
E pra, unë jam krenare të të them se ky nuk është rasti. Unë kam gjetur sukses në mënyra që kurrë nuk i kam menduar se do të ishte e mundur dhe për botën e jashtme, dukem e paprekur.
Por unë nuk jam e paprekur, unë jam e thyer nga brenda por thjesht kam zgjedhur që përmes përvojën time të jetës të ndihmoj të tjerët të mos jenë një viktimë siç kam qenë unë për kaq shumë kohë.
Unë dua që ta dish se më dhimbsesh. Unë kam 3 fëmijë të mi biologjikë (nipërit e mbesat e tua) dhe nuk mund ta imagjinoj kurrë që t’i jap apo t’i largoj nga vetja.
Duke mos ditur asgjë për ta, për personalitetet e tyre, për mirëqenien, se si ata duken, për ato që ata pëlqejnë dhe nuk pëlqejnë, pikëpamjet e tyre për botën dhe që të paktën, kanë një jetë të mirë: kurrë nuk do të kisha qenë dakord me një vendim të tillë.
A i dëgjon kush, a i kupton? A kanë ndjekur një rrugë që mbështet qëllimin e tyre në jetë?
Unë mund ta imagjinoj atë thyerje zemre që duhet të ndjesh, por ka edhe një tjetër larg teje që po e përjeton atë dhimbje zemre. E ka përjetuar çdo ditë, gjithë jetën.
Gruas që theu zemrën time:
Bota nuk rrotullohet vetëm rreth teje!
*Suzanne punon me çiftet që kërkojnë të adoptojnë fëmijët, të cilët kanë pengje dhe çështje të pazgjidhura rreth fëmijërisë e tyre që do të ndikonin për keq dhe do ta mjegullonin aftësinë e tyre prindërore.
Ajo i ndihmon ata të jenë të sigurtë, prindër të dashur ndaj fëmijës së tyre dhe të sigurojnë një mjedis ku fëmija të rritet i lumtur.