Ministrja e Financave, Anila Denaj ka hedhur dje poshtë pretendimet e presidentit Ilir Meta sa u takon investimeve në Vlorë. 3 ditët e fundit ka patur përplasje të forta pasi presidenti nuk jep autorizim për marrëveshjen financiare me Fondin Saudit.
Të martën presidenti akuzoi qeverinë për shkelje ligji ndërsa dje iu përgjigj ministrja Denaj. Në një konferencë për shtyp Denaj deklaroi se gjithë procedura e kryer lidhur me projektin Vlorë-Orikum është krejtësisht ligjore. Ministrja tha se autorizimi që kërkohet lidhet me arritjen e dakordësisë, që tashmë sipas saj është arritur, nuk ka nevojë për negocim. “Termi negociatë dhe dakordësi janë ato që duhet të kuptohen në këtë proces. Dakordësia mes palëve është realizuar, grupi negociator është i panevojshëm.
Kërkesa e dhënies së autorizimit për vazhdimin e procesit është e lidhur vetëm me faktin që dakordësia është arritur. Çdo marrëveshje është bërë në këtë frymë, kur dakordësia realizohet negocimi është i panevojshëm. Ajo që kërkohet të arrihet është që me të njëjtin fond dhe burim financiar të realizohet një projekt tjetër infrastrukturor, në të njëjtin qark”, u shpreh Denaj. Ajo sqaroi se vetëm në rastet kur institucionet nuk bien dakord, ngrihen grupet negociatorë dhe kërkohet autorizimi.
Sipas ministres projekti Vlorë-Orikum nuk e kundërshton aspak Kushtetutën. “Dakordësia me Fondin Saudit u realizua në muajin gusht dhe hapi dy procese paralele, së pari ratifikimin në Kuvend të këtij ndryshimi dhe si rrjedhojë anulimin juridik të marrëveshjes së mëparshme të ratifikuar në Parlament më 17 shtator të vitit të kaluar. Kundërshtia me Kushtetutën nuk qëndron në asnjë gërmë, as në frymë. Sqaroj zyrën e Presidentit se vetëm në kushtet kur projektmarrëveshjet e propozuara ku institucionet nuk janë dakord, vetëm në këto raste ngrihen grupet negociatorë duke kërkuar edhe autorizim”, tha Denaj.
Denaj sqaron arsyen e ndryshimit infrastrukturor
Ministrja gjithashtu sqaroi se pse u bë ky ndryshim infrastrukturor. Sipas saj u arrit në konkluzionin se projekti i parë ishte joekonomik. Ministrja pohoi se nuk ka pasur negociata për marrëveshjen pasi nuk bëhej fjalë për hua të re, por për një hua të negociuar më parë.
“Presidenti për të mbështetur arsyet e refuzimit të kërkesës së autorizimit të plotfuqishmërisë interpreton në mënyrë të gabuar. Ngre akuza për mashtrim, kundërshtim me Kushtetutën, akuza të panevojshme sepse nuk është ky qëllimi i qeverisë dhe ministrisë së Financave. Në këtë moment kërkoj të sqaroj publikisht se cila është nevoja e ndryshimit të objektit infrastrukturor.
Analiza e vlerësimit të projektit të parë të lotit të 4 të lumit të Vlorës, nxori një vlerë më të lartë se vlera e huas dhe vetë projektin e parë jo ekonomik. U vendos kalimi i fondeve në një tjetër projekt dhe nuk u bënë negociata sepse bëhet fjalë për një hua të negociuar më parë”, tha Denaj. Edhe kryeministri Rama reagoi në rrjetin e tij social Facebook ku shpërndau konferencën në të cilën foli ministrja dhe i bëri thirrje presidentit që të mos e pengojë Vlorën. “Mos e pengo Vlorën Ilir, se Vlora s’është ledh i LSI-së, po është konaku i Shqipërisë”, shkruajti Rama.