Zv/ministri i Jashtëm i Greqisë, Miltiadhis Varviciotis ka komentuar vizitën e fundit të kryeministri Rama në Turqi dhe raportet mes dy vendeve.
Sipas zv/ministrit, “takimi i Rames me Erdogan u kufizua në çështjet ekonomike dhe marrëveshje ekonomike mes dy vendeve, duke shmangur çdo deklaratë politike, që mund të karakterizonin dhe një bashkëpunim ushtarak strategjik nën kuadrin e NATO-s”.
Duke u ndaluar te raportet mes dy vendeve, zv.ministri grek u shpreh: “Ndodhemi në një fazë me vullnet bashkëpunimi të ndërsjellë, kemi bashkëpunim në çështjet për zgjerimin europian dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Europë. Në këtë kuadër kemi hapur një diskutim të gjerë dhe në BE për hapat që duhet të hidhen nga pala shqiptare para se të arrijmë në takimin e parë ndërqeveritar.
Referohem në reformat që duhen bërë në procedurat e censit, të drejtat e minoriteteve etnike, regjistrimi i pasurisë së palëvizshme, që prek dhe minoritarët. Këto kritere përfshihen tashmë dhe në axhendën europiane, jemi duke i ndjekur nga afër”.
Më tej, numri dy i diplomacisë greke komentoi dhe çështjen e kufirit detar mes dy vendeve, e cila do të marrë zgjidhje nga gjykata ndërkombëtare e Hagës.
“Çështja e dytë që kemi me Shqipërinë është përcaktimi i ZEE, siç dihet do të realizohet përmes Gjykatës Ndërkombëtare. Të dy palët jemi në fazën e përpunimit të dosjes me pozicionet përkatëse që do paraqesim në Hagë. Siç e dini, në Shqipëri ka reagime të fuqishme të brendshme në lidhje me zhvillimet e fundit me zgjerimin e Jonit me 12 milje, nga Greqia, madje deklarata janë bërë edhe nga presidenti i vendit, Ilir Meta dhe nga opozita, ndërsa qeveria e Ramës ka deklaruar hapur se është e drejta e Greqisë, që nuk cënon aspak të drejtat e Shqipërisë dhe nuk është e nevojshme klima e nënshtrimit që duan të ushqejnë zërat kundër.
Ky është kuadri i marrëdhënieve aktuale me Shqipërinë. Ka hapa të vështirë në aspektin teknik, këtu është vështirësia. Nuk kemi çështja pompoze, për deklarata apo foto karakteristika të hapave madhorë në marrëdhëniet tona, por ka shumë detaje teknike, për të thënë më në fund se kalojmë në fazën tjetër”, u shpreh ai.