Aldi Fusha, djali i ish prokurorit të shumëakuzuar nga opozita, Petrit Fusha, do të jetë kandidat për deputet pikërisht nga radhët e opozitës.
Ditën e djeshme, i riu Fusha u shfaq krah kryetares së LSI, Monika Kryemadhi e cila e prezantoi me vlerësime të larta.
Petrit Fusha është akuzuar nga opozita si “mbrojtës i aferave” sipas saj të kryebashkiakut Erion Veliaj.
PD jo vetëm ka shpallur publikisht se kishte prova për mbyllje dosjesh korruptive nga Petrit Fusha, por disa vite më parë, e ka akuzuar Fushën edhe për lidhje me trafikantët e drogës.
Sipas opozitës, Shkëlqim Fusha, pronari i Fusha shpk, është djali i xhaxhait të një trafikanti ndërkombëtar droge, Sulejman Fushës, i kapur në Alikante të Spanjës për 75 kg heroinë, por ky fakt u mbajt i fshehur nga Ministria e Brendshme
Portali CNA afër opozitës shkruan:
“PD, e cila dje ngrinte akuza të forta ndaj ish prokurorit, Petrit Fusha, sot djalin e tij do ta ketë aleat dhe pjesë të opozitës kundër qeverisë.
Kur opozita flet kundër oligarkëve një nga emrat që përmend është kompania Fusha e famshmja e sheshit “Skenderbej” apo ajo që do ndërtonte teatrin.
Aldi Fusha është nipi i oligarkëve dhe me lidhje të forta me kompaninë Fusha të Shkëlqim Fushës, që e akuzon PD dhe LSI.
Në publik Petrit Fusha sulmohet, kompanitë e familjarëve të tij akuzohen, por djali i merret dhe i vendoset kandidat për deputet.
Në vend që familjarëve të tyre tu bëhet vetting, tu kontrollohen pasuritë, tu sekuestrohen ato, fëmijët e tyre i marrin dhe i futin nëpër lista kandidatësh për deputet.
Petrit Fusha është ish prokurori i Tiranës i cili iu shmang vettingut duke u dorëhequr”.