Kryeministri Edi Rama i pyetur se kush e siguroi transportin e vaksinës, u përgjigj me ironi, duke thënë se vaksina do të vijë këtu, me çfarëdo qoftë, me kuaj, mushka apo varka.
“O Zot! Vaksina Pfizer ka çmim unik për të gjitha vendet, nuk negocion asnjë vend dhe kompania nuk negocion me asnjë. Është çmim unik dhe është konfidencial.
Për një periudhë 2-3 mujore vaksinimi do të jetë i mjaftueshëm për të gjithë. Transportin me kuaj, me mushka, me varka, me çfarëdo që të jetë vaksina do të vijë këtu. Keni parë ju ndonjë kompani që merr përsipër transportin?”, u shpreh Rama.
Manastirliu: Vaksinimi i popullatës në përqindje të caktuar lidhet me kapacitetet e vendit dhe me produktin që vjen. Brenda muajve ne do të vijojmë me grupet prioritare, mjekët, të moshuarit dhe më tej gjithë popullata. Nga lloji i vaksinës përcaktohet edhe modeli. Sot jemi me vaksinën Pfizer. Kjo është një ditë e madhe për të gjithë ne. Sot fillon një erë e re në kontrollin e pandemisë.
Përpjekjet tona do të jenë maksimale që procesi i vaksinimit të vijojë, duke garantuar siguri në të gjithë procesin e administrimit të vaksinës. Janë bërë një sërë përgatitjesh, duke filluar nga ekipet që do të vaksinojnë, deri tek elementet e sigurisë të vaksinës. Vaksinat aktualisht janë të ruajtura sipas temperaturave që kërkohen, pra në temperaturë minus 70 gradë. Do vijojmë të zgjerojmë kapacitetet për këtë vaksinë. Nuk do të kemi vetëm në Tiranë vaksinim, por edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.