BERLIN – Në një kthesë dramatike të ngjarjeve integrueso-stabilizueso-asociueso-anëtarëzuese, Gojët e Liga mësojnë se deputeti gjerman Gunther Krichbaum ka bërtitur dje pasdite në mes të sallës së parlamentit të vet, se Shqipëria meriton dhjetë me yll në progresin euro-integrues.
“Gjithçka ishte një shaka e imja,” deklaroi Krichbaum para kolegëve skeptikë, “Tirana ka bërë një progres të padiskutueshëm dhe meriton hapjen e negociatave për anëtarësim. Pra unë jam pro!”
Përmbysja e qëndrimit të deputetit albano-skeptik ka lënë pa fjalë shumë të pranishëm.
Por Gojët e Liga kanë informacione të (pa)besueshme se ka qenë një dhe vetëm një, arsyeja pse Krichbaum u bind befasisht mbi përparimin shqiptar.
Siç mësohet, në shtëpinë e Krichbaumëve të njëjtin mëngjes është dëgjuar një e trokitur e lehtë, por këmbëngulëse.
Plaka e shtëpisë tha e çuditur, “kush të jetë vallë në këtë orë?”, dhe u kthye nga deputeti në rrobdëshambër, që po hante një pjatë trahana, “S’më duket shenjë e mirë kjo, birooo”.
Por Gunther me gjakftohtësi bëri përpara.
Pasi është hapur dera, të zotit të shtëpisë i doli përballë një njeri të lidhur, mbi të cilin ishte ngjitur vula postare, “Par Avion, Tirana, Albanien”.
Burimet thonë se pasi i hoqi kapuçin, Krichbaum njohu Saimir Tahirin dhe buzëqeshi i lumtur.
“Danke”, mërmëriti ai duke falenderuar kushedi se kë, dhe shtoi “ja ja, das ist gut, das ist sehr gut!”.
Pasi i lidhuri u fut në shtëpi, deputeti urdhëroi pastruesen: “Kontrollieren partisanen!” dhe Sajmes i kontrolluan të gjitha xhepat.
Dikur, i gjetën një copë pusullë të palosur, të cilën Guntheri e hapi dhe lexoi në gjermanisht: “Naaa, që mos u ngopsh, jarebi! Tani na e jep votën, kalamon i shpif!”
Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike integruese dhe negociuese