Lista e emrave që rrezikojnë të mbeten jashtë kandidaturave për zgjedhjet e 25 prillit pritet të jetë vërtet e gjatë.
Ambasadorja amerikane po angazhohet personalisht që të marrin fund manovrat për të futur në Parlament individë të dënuar për vepra penale nga më të ndryshme.
Në Parlamentin e Shqipërisë ka pasur edhe individë të dënuar për prostitucion, por SHBA duket se këtë herë po angazhohet që të mos përsëriten të tilla lëvizje. Ambasadorja amerikane dy ditë më parë nisi të flasë me emra dhe i pari që u përmend ishte Tom Doshi, i shpallur “non grata” nga DASH. Nga ana tjetër kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi pak ditë më parë tha se SHBA i ka treguar një dosje për Gledion Rehovicën dhe ajo vendosi ta largojë nga LSI.
Nëse kthehemi pas në kohë, në 2017 doli një listë me rreth 15 emra gjyqtarësh dhe prokurorësh që ishin futur në listën e zezë të amerikanëve duke iu revokuar vizat. Pra faktet janë se ambasada amerikane ka një listë me personat që sipas saj janë të përfshirë në afera kriminale dhe korruptive. Ambasadorja e ka bërë të qartë se emrat e shpallur të padëshiruar nga SHBA nuk duhet të jenë në lista e kandidatëve.
Një ditë më parë gazeta përmendi Petrit Vasilin dhe Sali Berishën si të rrezikuar, ndërkohë mësohet se SHBA ka një listë me rreth 200 emra politikanësh që u janë refuzuar vizat. Në këtë listë bëjnë pjesë ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, kryetarë bashkie, ish-kryetarë bashkie, etj. Pra SHBA e ka të qartë se kush nuk e ka vendin në Parlament dhe presioni ndaj politikës është rritur ndjeshëm.
Rikthimi i të shkarkuarve
Përveç emrave të shpallur “non grata”, gazeta ka mësuar se ambasadorja amerikane po lufton fort që të mos rikthehen në Parlament të penalizuarit më herët nga ligji i dekriminalizimit. Aqif Rakipi, Gledion Rehovica, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, u larguan nga Parlamenti për shkak se kishin fshehur dënimet jashtë vendit. Nëse ata do i kishin deklaruar këto dënime, nuk do të penalizoheshin, pasi krimet janë kryer para viteve 2000 dhe periudha e penalizimit ka kaluar.
Të gjithë emrat e mësipërm janë angazhuar politikisht dhe presin që të jenë në listat e kandidatëve. Aqif Rakipi mund të kandidojë me PS në zonën e Elbasanit. Gledion Rehovica është bashkuar me PS në Berat, ndërsa Shkëlqim Selami po me PS, por në Vlorë. Ndërkohë Dashamir Tahiri është bashkuar me Bindjen Demokratike.
Të katërt kanë nisur fushatën dhe po punojnë. Nëse ata në formularin e dekriminalizimit deklarojnë dënimet për të cilat u penalizuan herën e parë, këtë herë nuk do të kenë probleme. Por mësohet se ambasadorja Kim ua ka bërë të qartë krerëve të tre partive kryesore se nuk mund të ketë riciklim të emrave që janë penalizuar nga ligji i dekriminalizimit, për më tepër që kanë ikur nga një parti dhe merren nga tjetra.
Kjo pritet të ndikojë dhe te planet e kreut të PS kryesisht, pasi sipas informacioneve emrat e mësipërm mund të mbeten jashtë listave të PS. Deklarata e ambasadores kundër Tom Doshit po ashtu ka vënë në siklet socialistët, pasi ai është në koalicion me ta. Në zgjedhjet e 2017 Doshi fitoi një mandat në Shkodër, ndërsa në këto zgjedhje mësohet se pretendon dhe një mandat në Tiranë. Ligji i dekriminalizimit atë nuk e ndalon të kandidojë, ndërsa mbetet të shihet se çfarë do të vendosë.