Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara të mbajtura gjatë këtyre 30 viteve, është ende e vështirë të përcaktohet qartësisht se nga do të anojë pushteti pas 25 prillit.
Taktikat e opozitës së drejtuar nga Partia Demokratike dhe mazhorancës socialiste për të maksimalizuar votat dhe shtimi i elektoratit gri që mund të jetë përcaktues qoftë edhe me mospjesëmarrje në votime, ka sjellë mjaft konfuzitet në radhët e partive politike.
Gazeta i ka bërë një skaner të gjitha lëvizjeve dhe deklaratave të partive politike, ku kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se do të dalin më të fituar nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Basha u pret oreksin aleatëve
Kështu, burime të sigurta nga selia blu theksuan se kryedemokrati Basha po e shfrytëzon më së miri Kodin e ri Zgjedhor, për t’iu mbyllur derën dhe prerë oreksin aleatëve tradicionalë të PD. Këta të fundit kanë tentuar që falë presioneve dhe idesë së partitë e tyre kanë peshë në elektorat, t’i kërkojnë zotit Basha shumë ofiqe, siç është lënia në listat e sigurta të Partisë Demokratike të më shumë se 3 emrave nga radhët e tyre.
Por kjo kërkesë hasi në rezistencën e Bashës, pasi lideri demokrat u tregua i ftohtë dhe pranoi që të kandidonte në listat fituese të demokratëve vetëm krerët e partive. Madje, sot që flasim zoti Basha vijon ende negociatat me kreun e PR, Fatmir Mediu dhe kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi, me të cilët nuk e ka mbyllur ende marrëveshjen sa i takon mënyrës se si do të hyjnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Kështu gjasat janë që të gjendet një gjuhë e përbashkët, duke qenë se sot skadon afati i koalicioneve që do të regjistrohen pranë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë nga ana tjetër, shefi i demokratëve ka lënë jashtë koalicionit edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila pritet të hyjë në zgjedhjet e 25 prillit e ndarë nga Partia Demokratike, pra me listën e saj. Por fakti që Basha iu ka prerë oreksin aleatëve dhe ka lënë jashtë LSI-në, vendim të cilin e ka marrë dje gjatë një takimi që pati dje në mbrëmje me zonjën Kryemadhi, është një tregues i qartë se ai po tenton që të fitojë i vetëm 71 mandate në zgjedhjet e ardhshme. Për rrjedhojë ky rezultat pritet që t’i japë Bashës të drejtën për të formuar qeverinë.
Kjo do të thotë se pavarësisht se është deri diku e vështirë që PD të fitojë kaq mandate deputetësh, Basha i ka lënë qëllimisht aleatët përfshi LSI-në, për të parë se sa vota do të marrin dhe për faktin se në rast se i ka në qeveri ata do të kërkojnë shumë dikastere nga e ashtuquajtura “tepsia e pushtetit”.
Bashkëqeverisja me PS opsion i fortë i demokratëve
Por vështirësia për të fituar e vetme 71 mandate nga ana e Partisë Demokratike ka bërë që kjo e fundit të kthejë sytë nga Partia Socialiste. Gazeta e ka deklaruar se ndërkombëtarët e mbështesin idenë e një bashkëqeverisje Rama-Basha, duke nxjerrë jashtë loje LSI, ndërsa mësohet se po negociohet te arritja e këtij realiteti.
Ndërkohë që mësohet se kjo skemë pritet të ndodhë edhe për të mirën e integrimit europian të Shqipërisë dhe vetë qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që Parlamenti i ri të jetë solid dhe të mos ketë sherre apo bllokime reformash e ligjesh.
Madje, sinjalin se mund të shkojmë drejt një bashkëqeverisje PS-PD pas 25 prillit, e ka dhënë dje edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit u pyet dje gjatë konferencës “Ekonomia në fokus” se përse target të sulmeve të tij ka presidentin Ilir Meta dhe jo kreun e opozitës, Lulzim Basha. Mirëpo, Rama preferoi të mos i përgjigjej kësaj pyetje, duke lënë të nënkuptohet se në prapaskenë ka një flirt mes tij dhe Bashës për këtë çështje./Rigels Seliman