Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale foton e infermieres Xhorxhina Metushi, e cila pavarësisht se është në pritje të ëmbël ka qëndruar që prej ditës së parë në frontin e nxehtë të luftës kundër virusit në spitalin COVID 1.
Rama shkruan se ndihet krenar për bluzat e bardha dhe se një dorë abuzuesish e batakçinjsh mes tyre nuk mund të zhbëjnë dot moralin njerëzor e dinjitetin profesional të shumicës dërrmuese të tyre.
Postimi i plotë:
#RESPEKT
Në armatën e bluzave të bardha, që bëjnë dallimin e madh në këtë kohë lufte për shëndetin, është edhe një brez i ri profesionistësh si Xhorxhina Metushi.
Prej ditës së parë të përballjes me Armikun e Padukshëm, infermierja e palodhur e Spitalit Covid 1, vijon të qëndrojë në vijën e parë të zjarrit, teksa pret të sjellë në jetë fëmijën e saj, duke marrë në sy rrezikun për të shpëtuar njerëz në rrezik për jetën!
Krenar për bluzat e bardha që në ditët më të mundimshme të vendit, dëshmojnë me forcën e shembullit të tyre, se jo vetëm nuk janë të gjithë njësoj po edhe se një dorë abuzuesish e batakçinjsh mes bluzave të bardha, nuk e zhbëjnë dot moralin njerëzor e dinjitetin profesional të shumicës dërrmuese të tyre
#Heronj