Shqipëria mori një vlerësim të lartë sa i përket procesit të reformës në drejtësi. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi gjykatësin Adrian Dvorani si kampioni i luftës kundër korrupsionit. Ai është në mesin e 12 personaliteteve në mbarë botën që morën një vlerësim nga sekretari amerikan i shtetit si kampioni ndaj Antikorrupsionit.
“Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuuan në vendimin e BE-së në mars për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë”, thotë Departamenti i Shtetit në vlerësimin e tij.
Po ashtu në motivacion thuhet se zoti Dvorani ishte një nga anëtarët kryesorë të grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi të Shqipërisë, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të reja të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sektorin e drejtësisë në 2016.
Natyrshëm shtrohet pyetja: Kujt i drejtohet ky mesazh i rëndësishëm i lëshuar nga administrata e re e Joe Biden nëpërmjet DASH?
Ky mesazh nga Uashingtoni nënkupton se Dvorani gjatë detyrës së tij në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni që kishte si detyrë përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese ka pasur jo pak presione dhe ato “silure” lëshoheshin nga politika.
Përplasjet më të forta të tij kanë qenë ato me kreun e shtetit, presidentin Ilir Meta. Nuk është e largët periudha e konfliktit të ashpër mes Metës dhe Dvoranit, ku presidenti nuk linte ditë pa dalë në media duke sulmuar kreun e KED-së dhe akuzuar për procesin e emërimeve të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Madje Meta bëri edhe një kallëzim penal ndaj Dvoranit. Sulmeve të Metës ndaj Dvoranit, natyrisht që iu shtua edhe Sali Berisha.
Në gjuhën diplomatike ky vlerësim dhe motivacioni i këtij çmimi ndaj Dvoranit të bën të mendosh se është një mesazh indirekt dhe mbase një goditje ndaj presidentit Meta dhe Berishës. Njëherësh SHBA, edhe me administratën e re të presidentit amerikan Joe Biden po jep mesazhin se mbështet fuqishëm reformën në drejtësi, si e vetmja mënyrë për të ndëshkuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Vlerësimi i Ardian Dvoranit në fakt, ka tërbuar dyshen Meta-Berisha.
Aq sa, menjëherë sa u publikua lajmi, Ilir Meta nuk e përmbajti dot veten, por reagoi direkt personalisht, duke akuzuar “mafien ndërkombëtare”.
Pastaj lëshoi edhe disa deklarata të njëpasnjëshme me anë të Blushit të tij.
Berisha ndërkohë, që ka hallet e tij me SHBA, pasi tashmë e kanë futur në listën e të padëshiruarve, bashkë me familjen, është treguar pak më i përmbajtur.
Ai është mjaftuar me reagimin e dhëndrit të vet, Jamarbër Malltezi, që është i tremburi i madh i SPAK, për shkak të asaj që ka bërë me privatizimin e kompleksit Partizani.
Por si të mos mjaftonin me sulmet e drejtëpërdrejta, Meta dhe Berisha kanë bombarduar faqen e Ambasadës amerikane në Tiranë, me sulme të bëra nga mbështetësit e tyre, që paguhen për të bërë komente, ndërsa gazetarët e taborrit të tyre, janë përpjekur të zhvlerësojnë titullin për Dvoranin, me argumentin se ai nuk ka bërë ndonjë gjë në luftën ndaj korrupsionit.
Po pse, pak është që në kulmin e shtetit policor të Berishës e Metës, të cilët ishin në gjëndje edhe të vrisnin qytetarë që protestonin kundër tyre, të dilje kundër tyre, siç bëri Dvorani në rastin e video skandalit të Ilir Metës me Dritan Priftin!
Vetëm një shembull ky, se Dvorani në fakt, si pakëkush në Shqipëri, arriti të përballet me dy nga politikanët më të egër dhe hakmarrës në vend, por dhe më të korruptuarit, për më shumë se një vit.
Për të natyrisht do të ishte më e lehtë dhe e thjeshtë të tërhiqej, pasi është provuar se ata që janë përballur me Metën dhe Berishën kanë përfunduar shumë keq.
Por ai zgjodhi rrugën e vështirë dhe sot me të drejtë, vlerësohet nga SHBA, si një fitore morale ndaj dyshes politike me të kriminalizuar dhe të korruptuar në vend./TemA