Drejtori i “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi, shpjegon se si bëhet ndarja e urgjencave, në bazë të kodeve mjekësore.
“Kodi blu, ndihma jepet menjëherë, në kodin e kuq jepet për 15 minuta, ndihma nga mjeku e kështu me radhë. Të shtruar aktualisht janë 220”, thotë ai.
Kapisyzi shton më tej se gjendja e pacientëve është në gjendje të rëndë dhe apelon që të mos neglizhohet ardhja në spital.
“Këtu janë të sëmurë shumë të rëndë. Mos e neglizhoni Covid-in. Trajtohuni që në fillim. E rëndësishme është që kurrë pacientët nuk duhet të këmbëngulin të rrinë në shtëpi”, thotë ai.
Lufta më e madhe bëhet në pavione, aty ku pacientët janë më të rënduar.
Një 40-vjeçar thotë për gazetaren Ema Shazivari se ndodhet prej katër ditësh i shtruar, ndërsa fatmirësisht është përmirësuar.
“Jam 40 vjeç. Po bëj katër ditë. Tani jam më mirë. Kam ardhur me temperaturë, dhimbje koke, i këputur fare. Tani jam super”, thotë pacienti.
Mes të shtruarve ka shumë të rinj në moshë. Profesor Perlati, thotë me bindje se ata janë të infektuar nga variant britanik i cili është më agresiv.
“Edhe vendi ynë nuk bën përjashtim nga të gjitha vendet e tjera. Është rritur numri i pacientëve me moshë të re. Në këtë periudhë tek moshat e reja po shikohet gravitet shumë i madh i Covid.
Më përpara moshat e reja e kalonin më lehtë. Tashmë në vendin tonë duhet të ketë hyrë virusi anglez. Po vërtetohet që ky variant ka edhe agresivitet më të madh”, shpjegon ai.