Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshojë masat për kufizimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Ora policore do të vijojë të jetë ora 20:00, me përjashtim të rasteve emergjente. Shkollat e mesme do të vijojnë të mbeten online, edhe universitetet, përveç provimeve.
“Masat që u propozuan para dy javësh kanë dhënë efekt, prandaj ne mendojmë që të vijojnë të mbetet aty, duke i vlerësuar në kohëra më të shkurta. Pra, masat që vazhdojnë të mbeten në fuqi, është kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në orën 20:00, mësim online në gjimnaze”, tha Rakacolli.
Ndër të tjera, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, shtoi se vendimi për të mos marrë masa shtesë shtrënguese nuk lidhet me zgjedhjet e 25 prillit.
“Infeksioni erdhi njëkohësisht në të gjithë botën. Të gjithë nisemi nga shkenca epidemiologjike, masat që mund të jenë frenuese të pandemisë, por vendet kanë strategji të ndryshme.
Në bilancet që janë bërë deri tani, Shqipëria, me shifrat që ka pasur, tregon se masat kanë funksionuar. Dhe vendimi që ne marrim nuk lidhet aspak me zgjedhjet”.
Rakacolli tha se nuk do të ketë masa të pjesshme shtrënguese për autobusët dhe lokalet, ku shihet se njerëzit jo gjithmonë respektojnë distancën fizike, sidomos në transportin urban në Tiranë.
“Në fund të fundit është një zgjedhje personale. Nuk të detyron njeri të hipësh në autobus! Kur e shikon që autobusi është plot nuk duhet të hipësh, zgjidhet një orar i përshtatshëm për të mbrojtur veten dhe anëtarët e familjes”, tha ajo.