Rreth 60 gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë gjatë viteve të fundit. Në 2016 nisi procesi i vetingut për ta dhe kohët e fundit dorëheqjet janë shtuar, për shkak edhe të shkarkimeve të shumta që kanë ardhur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Ata që ngelin në veting sigurisht që njollosen pasi pasuria e tyre bëhet publike dhe kohët e fundit janë shtuar zërat që të nisë procedimi penal për të gjithë të shkarkuarit. Mirëpo kjo nuk do të thotë se mund të jenë imunë ndaj hetimit edhe të dorëhequrit.
Sipas burimeve, presioni i BE dhe SHBA është shtuar ndjeshëm, pasi kërkojnë që të ketë hetim pasuror për të shkarkuarit dhe të dorëhequrit, qoftë në Gjykatën Kushtetuese e të Lartë, qoftë në gjykatat e shkallëve të tjera. Kemi dy shembuj të ndjekur deri më tani për hetimin e personave të dorëhequr nga sistemi i drejtësisë. Rasti i parë është ai i ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Ky i fundit pasi mbaroi detyrën në krye të organit të akuzës dha dorëheqjen dhe u largua, duke mos pranuar që të kalojë gjyqtar në Apel. Për pasojë KPK i ndërpreu atij vetingun edhe pse Llalla kishte dorëzuar deklarimet për pasurinë, figurën dhe karrierën. Ai ishte precedenti i parë i dorëheqjes pas nisjes së vetingut, duke i hapur rrugë dhe emrave të tjerë. Por Llalla nuk ja hodhi paq pasi sot është i pandehur për fshehje pasurie.
Pasi ai dha dorëheqjen, në media nisën të publikohen dokumentet e KPK sa i takon verifikimit të Llallës, pasi procesi për të ishte pothuajse në fund kur u dorëhoq. Prokuroria duke marrë indicie nga mediat nisi menjëherë hetimet dhe sot Llalla është i pandehur në Gjykatën e Posaçme.
Po ashtu, një precedent tjetër është ai i Besnik Imerajt, i cili u padit në prokurori nga KPK pas dorëheqjes nga Kushtetuesja. KPK pretendonte për parregullsi dhe dorëzoi dosjen në organin e akuzës, i cili pushoi hetimet. Pra kemi dy precedentë kur janë vënë në lëvizje organet e drejtësisë.
Përcaktimet ligjore
Ajo që bie në sy është se shumica e të dorëhequrve kanë pasuri shumë të lartë, sidomos emrat që kanë qenë në Gjykatën e Lartë. Strategjia që kanë ndjekur të dorëhequrit është e mjaft e sofistikuar. Shumica dorëzuan formularët e pasurisë sapo u miratua ligji me shpresën se do të ishte një proces sa për të larë duart. Por kur vetingu dëshmoi se po ecën, të gjithë u tronditën.
Sipas ligjit, pasi KPK mbyll procesin e verifikimit ia kalon barrën e provës subjektit, për pasuri apo elemente të tjera që ata mendojnë se përbëjnë shkelje apo nuk janë në përputhje. Gjyqtari apo prokurori duhet të justifikojë pasuri të caktuara vlera e të cilave nuk përputhet, pasuri të padeklaruara, etj. Shumica me vetëdije nuk kanë deklaruar shumë pasuri apo iu kanë ndryshuar vlerat dhe KPK e ka zbuluar këtë gjë.
Në momentin që i informon ata e kanë kuptuar se nuk i shpëtojnë dot shkarkimit dhe menjëherë i drejtohen KLGJ-së duke dhënë dorëheqjen. Por Kodi i Procedurës Penale detyron institucionet, qoftë ILDKP, qoftë KPK që të bëjnë padi kur shohin shkelje. “Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale.
Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”, thuhet në nenin 281 të Kodit Penal.
Emrat
Gazeta ka siguruar emrat e të gjithë të dorëhequrve nga sistemi i drejtësisë, ku disa mund të jenë larguar vërtet për arsyet e tyre shëndetësore apo personale, por një pjesë e madhe kanë ikur sepse janë kundër vetingut. Nëse i marrim me radhë, Gjin Gjoni dha dorëheqjen dhe në shkresën e tij e sulmonte procesin. Gjin Gjoni është mes njerëzve më të pasur të sistemit.
Pas tij vjen Alaudin Malaj, i cili dha dorëheqjen, ndërkohë që është mes njerëzve më të pasur të drejtësisë. Po ashtu kemi ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë si Arjana Fullani apo Evelina Qirjako që kanë dhënë dorëheqjen dhe kanë pasuri të lartë./Kliti Topalli
Të dorëhequrit nga sistemi i drejtësisë
Gjykata e Lartë
1. Arjana Fullani, gjyqtar i Gjykatës së Lartë
2. Aleksandër Muskaj, gjyqtar i Gjykatës së Lartë
3. Andi Çeliku, gjyqtar i Gjykatës së Lartë
4. Evelina Qirjako, gjyqtar i Gjykatës së Lartë
5. Guxim Zenelaj, gjyqtar i Gjykatës së Lartë
6. E.Basha, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë
7. E.Shehu, ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë
8. E.Kana, këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë
A. Berdica, ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë
Gjykata Kushtetuese
1. Besnik Imeraj, gjyqtar i Kushtetueses
2. Vladimir Kristo, gjyqtar i Kushtetueses
3. Sokol Berberi, gjyqtar i Kushtetueses
Gjykatat e Apelit
1. Gjin Gjoni, gjyqtar i Apelit Tiranë
2. Alaudin Malaj, gjyqtar i Apelit Tiranë
3. Agim Bendo, gjyqtar i Apelit Tiranë
4. Astrit Haxhialushi, gjyqtar i Apelit Tiranë
5. I.Salaj, gjyqtar i Apelit Gjirokastër
6. I.Çeliku, gjyqtar i Apelit Vlorë
7. M. Saraçi, gjyqtar i Apelit Tiranë
8. M. Rraboshta, gjyqtare e Apelit Shkodër
9. S. Kallço, gjyqtar i Apelit Korçë
10. T. Skreli, gjyqtar i Apelit Gjirokastër
11. P. Dhimitri, gjyqtar i Apelit Durrës
Gjykatat e Rretheve
-F. Çoniku, gjyqtar në Elbasan
-K. Çobanaqi, gjyqtar i Beratit
-Ilir Pashaj, gjyqtar i Elbasanit
-R. Mataj, gjyqtare e Tiranës
-Z. Shahu, gjyqtar i Elbasanit
-R. Panajoti, gjyqtare e Tiranës
-F. Prendi, gjyqtar në GJKKO
-N. Gjura, gjyqtar në Durrës
-K. Bajrami, gjyqtare e Sarandës
-L. Sulollari, ish-gjyqtare e Krimeve të Rënda
-A. Liço, gjyqtare e Tiranës
-G. Sinjari, gjyqtar i Durrësit
-A. Laçi, gjyqtar i Gjykatës Administrative
-A. Zefi, gjyqtar i Shkodrës
-E. Gashi, gjyqtare e Durrësit
-L. Lira, gjyqtare e Pogradecit
-M. Xhani, gjyqtare e Durrësit
-E. Civici, gjyqtare e Tiranës
-B. Kasmi, gjyqtare e Tiranës
Prokuroritë
-Adriatik Llalla, ish-kryeprokuror
-Petrit Fusha, ish-kryeprokuror i Tiranës
-S. Tola, prokuror i Krujës
-H. Ligori, prokuror i Krimeve të Rënda
-N. Gjoka, prokuror në Tiranë
-A. Dilka, prokurore në Elbasan
-J. Qeleshi, prokurore në Durrës
-A. Nezha, prokuror në Tiranë
-E. Beta, prokuror në Berat
-B. Hoxha, prokuror në Tiranë
-B. Mete, prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme
-E. Pustina, prokuror i Pogradecit
-R. Halili, prokurore e Durrësit
-M. Shtjefni, prokurore e Shkodrës
-Nj. Seferi, prokuror i Tiranës