Kandidati socialist Plarent Ndreca komentoi listën e PD së bashku me aleatët, ku e cilësoi si një kthim pas në kohë me 20 vite, ku nuk frymëzon më dhe as nuk sjellë asgjë të re, por ruan privilegjet e disa figurave që nuk kanë çfarë të japin më për vendin.
Gjatë një interviste për “Studio Live” , Ndreca tha se lista e PD në Tiranë është zhgënjyese pasi pritshmëritë ishin të larta nga qytetarët pasi kërkojnë një opozitë të fortë. Ndreca tha se lista e PD nuk do të sjellë asnjë rotacion të jashtëzakonshëm që pretendon Basha, ndërsa listën e PS e cilësoi si listë me energji të reja që synon zhvillimin dhe marrjen në dorë të fateve të vendit dhe jo thjeshtë fitoren dhe vazhdimin e qeverisjes.
“Në Tiranë lista e PD nuk ka asnjë ndryshim, është zhgënjyese që nga opozita që ka pritshmëritë më të larat se pretendon një rotacion të jashtëzakonshëm, nuk ka asnjë ndryshim të paktën në 12 fituesit në fillim të listës. Përkundrazi ka disa figura që nuk thonë asgjë, figura 25-vjeçare që rrotullohen aty dhe mbajnë privilegjet e tyre. Këto emra e kthejnë kokën e opozitës shumë mbrapa dhe nuk po shikon para dhe nuk mund të marr dot fatet e Shqipërisë në dorë.
Opozita e Shqipërisë ngelet peng i disa emrave që nuk thonë më asgjë dhe ruajnë privilegjet e deputetit. Duan thjeshtë të mbajnë rezultatin por jo fitoren. Opozita do marrë mësimin e duhur më 25 prill. Kishte 4 vjet kohe të përgatiste listën dhe prezantohen me një listë që nuk frymëzon askënd, por kthen kokën 20 vite pas. Kjo opozitë nuk është e pjekur mjaftueshëm për të marrë fatin e vendit, ata duan vetëm rotacionin, jo si PS që synon të jetë një forcë shtytëse për zhvillimin e shoqërisë”, tha Ndreca.
Ndreca është renditu i 20-i në listën e Tiranës nga PS, por për të kjo nuk do të thotë asgjë, pasi secili do të përfaqësohet në fund nga votat që do të marrë më 25 prill dhe se renditja nuk ka vlerë paracaktuese.
“Ky sistem elektoral nuk jep avantazh që dikush është në krye të listës, por vendosja e tyre ka rëndësinë e saj nga pikëpamja e përfaqësimit dhe kontributi. Renditja nuk ka vlerë të paracaktuese dhe listat janë të hapura dhe askush nuk është i sigurt. Referuar dhe sondazheve që janë bërë në Tiranë janë shtuar dy mandate, në 2017 PS ka fituar 18 deputetë sikur secila parti të ruajt pozicionet e veta, PS ka më shumë shanse për të marrë ato dy mandatet e shtuara”, tha Ndreca.