Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një betejë edhe brenda partive politike. Futja e listave të hapura do të shtojë garën brenda PS, PD apo LSI, pasi shumë emra janë lënë jashtë zonës së sigurt, por që nëse kanë mbështetje në popull atëherë mund të përmbysin listat e zonës së sigurt.
Sipas përcaktimeve të reja të Kodit Zgjedhor, një kandidat duhet që së pari të kalojë numrin mesatar të votave për çdo zonë, apo i njohur ndryshe si herësi. Gazeta po tregon sot se sa vota minimalisht i duhen një deputeti jashtë zonës së sigurt që të hyjë në garën për të marrë mandatin e deputetit.
Nëse i marrim me radhë qarqet, në Tiranë një deputet jashtë zonës së sigurt duhet që së paku të marrë 11.700 vota dhe më pas të shohë nëse poshtë tij ka emra me më pak vota. Nëse shohim numrin e votuesve në 2017 dhe faktin që janë shtuar 2 mandate në Tiranë, çdo kandidati i duhen minimalisht 11.700 vota që të hyjë në listën fituese.
Nëse marrim Tiranën si shembull, Mimi Kodheli mund të marrë rreth 10 mijë vota dhe disa emra poshtë saj mund të kenë 7-8 mijë vota, ish-ministrja nuk bëhet dot deputete pa kaluar pragun e 11.700 votave. Pasi të kalohet ky prag shihet nëse ka emra me më pak vota se ajo dhe nëse ka zëvendësohen.
Në Durrës duhen së paku 10.700 vota. Në Dibër nevojiten 14.700 vota afërisht që emrat pas listës së sigurt të hyjnë në luftë për mandat. Në Lezhë duhen 10.600 vota. Në Shkodër nevojiten rreth 10 mijë vota, ndërsa në Kukës rreth 14 mijë vota. Elbasani dhe Fieri kanë një mesatare prej rreth 11.600 apo 11.800 votash. Korça dhe Berati duan 12 mijë vota, ndërsa Vlora 9 mijë vota dhe Gjirokastra 13.800 vota. Pra të gjithë kandidatët e PS, PD apo partive të tjera që janë jashtë zonave të sigurta duhet që gjithsecili të kapë fillimisht shifrën që i korrespondon qarkut në fjalë dhe më pas të hyjë në garë. Nëse ai ka më shumë vota se një emër më poshtë, atëherë ai merr mandatin e deputetit.
Emrat që rrezikojnë
Nëse marrim në analizë të 12 qarqet në vend, janë një sërë emrash që janë në “vijën e zjarrit” që rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit nëse nuk arrihen objektivat. Në Berat, PS mori 4 mandate në 2017, LSI 2 dhe PD 1. Nëse shohim emrat, nga PS në vijën e zjarrit është Blendi Klosi, i cili renditet i pesti. Por edhe pse kryeministri ka vënë drejtuesit politikë në vijën e fundit gjasat që ata të mbeten jashtë janë të ulëta, pasi ata mund të marrin votat e nevojshme si individ dhe futen në garë.
Pra beteja do jetë mes Klosit dhe Naços nëse PS nuk merr 5 mandate. Nga PD, i vetmi që e ka të sigurt është Tomor Alizoti. Në Dibër, nga PS gara është mes Dionis Ymerit dhe Aurora Marës, pasi Ymeri me gjasë mbete jashtë listës fituese, por mund të konkurrojë ta marrë vetë mandatin. Sa i takon PD, 3 emrat e parë mund të marrin mandat, ndërsa në rrezik është Edmond Isaku. Durrësi është qarku më interesant. PS në 2017 mori 8 mandate dhe i teti renditet Rama. Pra duket se kryeministri është në vijën e zjarrit, por nëse PS merr më pak mandate ai rriskon emrat e tjerë pasi ai mund të futet në listë fituese përmes votave personale.
Nga PD emrat që rrezikojnë të mbeten jashtë janë: Andia Ulliri, Igli Cara dhe Rezart Tusha. Në Elbasan PS synon 8 mandate dhe në vijën e zjarrit është Taulant Balla. Nëse PS merr më pak mandate i rrezikuar është Luan Duzha, pasi Balla mund të sigurojë vota personale për të qenë deputet. Nga PD rrezikojnë Luçiano Boçi, Eugen Isai dhe Zheni Gjergji. Në Gjirokastër nga PS është Artemis Malo që rrezikon, ndërsa nga PD është Roland Bejko.
Në Fier PS është më e qetë pasi Ruçi është i 10-ti dhe pretendon 10 mandate. Nëse nuk arrin objektivin rrezikon Tatiana Piro. Në Shkodër është Frrok Gjini nga PS, ndërsa nga PD janë në rrezik Ludovik Hasanaj e Bardh Spahia, ndërkohë që mbetet jashtë Nard Ndoka i cili garon i teti. Tirana është zona më komplekse pasi ka shumë kandidatë dhe nuk dihet si kompozohen votat. PS ka shumë emra dhe pas listës fituese të cilët mund të tentojnë përmbysjen.