Në Tiranë, analistë të jetës politike shprehen se kryetarët e partive më të mëdha treguan dje edhe një herë tjetër fuqinë e tyre individuale në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë.
Analistët Blendi Ceka dhe Lutfi Dervishi vërejtën se përsëri mbizotëruan parapëlqimet personale të kryetarëve si në përfshirjen ose jo të kandidatëve në listat për kandidatë ashtu edhe renditjen e tyre në zonat më të sigurta.
Të dy formacionet kryesore politike bënë ndryshime të dukshme krahasuar me 4 vjet më parë, por ato dallohen për nga renditja e kandidatëve.
Opozita renditi emrat në bazë të fuqisë elektorale të secilit kandidat, ndërsa socialistët bënë të kundërtën, duke vendosur në fund të listës së sigurt emrat e drejtuesve politikë nëpër qarqe.
Edhe këtë radhë në mesnatë, në minutat e fundit të skadimit të afatit ligjor, dy partitë më të mëdha politike dorëzuan në KQZ listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Përshtypja e parë është vonesa. Listat dorëzohen në mesnatë dhe nuk u lihet njerëzve kohë të bëjnë kërkimin e duhur për të parë kush janë kandidatët. Listat sivjet janë me njerëz të njohur dhe me njerëz të panjohur. Do të ishte shumë më mirë që listat të paraqiteshin kohë më parë, në mënyrë që edhe publiku edhe media edhe njerëzit e interesuar të dinin me kë kanë të bëjnë dhe me çfarë kontributesh do të jenë këta njerëz në parlament” – thotë analisti Dervishi, pedagog i gazetarisë.
Analistët pohojnë se kjo është hera e parë për partitë dhe për kandidatët që eksperimentojnë këtë model të listave pjesërisht të hapura.
Por studiuesi Blendi Ceka thotë se partitë dëshmuan se e kanë shumë të vështirë rigjenerimin e thellë, përderisa në pjesën më të madhe të listave partitë erdhën me të njëjtët emra të 20 vjetëve të fundit.
Sipas tij, pjesa më e madhe e deputetëve në parlamentin e ri do të jenë nga ata që kanë qenë aty edhe më parë.
“Për të gjithë partitë 50 për qind e kandidatëve është oferta 20-vjeçare. Nga kjo pikëpamje, rigjenerimi është shumë më i pjesshëm se sa duket. Pjesa kryesore në këto lista është ajo që na u server këto 20 vite. Pjesa më e madhe e listave të gjithë partive e kanë këtë karakteristikë. Kjo tregon se rigjenerimi real i tyre është shumë i vështië” – tha zoti Ceka.
Analistët shprehën habinë për faktin se socialistët i dhuruan kreun e listave emrave të panjohur për politikën, ndërsa demokratët nuk bënë koalicionet e pjesshme zonale dhe nuk ndoqën vendimet e komisionit përzgjedhës.
Figura të njohura socialiste mbetën jashtë listave. Një pjesë e tyre deklaruan vet tërheqjen, ndërsa një pjesë u vendos të lihen jashtë, ndërsa pjesa tjetër u vendosën përtej kufirit mes humbjes dhe fitores. Po ashtu edhe opozita ka zbritur emra të njohur në zonat jo të sigurta të listave, edhe të paktën 11 ish deputetë demokratë u lanë jashtë listës.
Sipas vëzhguesve, këto lëvizje të ndjeshme kanë të bëjnë jo me reformimin e partive por me autoritarizmin e kryetarëve.
“Listat janë konfirmimi i fuqisë së kryetarëve të partive politike, që vendosin në mesnatë se cili do të vazhdojë karrierën politike dhe cili jo, cilit do t’i ndërpritet karriera politike dhe cili do ta nisë atë. Në një farë mënyre, kryetarët e partive politike janë sulltanët e këtij mjedisi, të cilët vendosin se cili do të jetë në Kuvend dhe cili jo” – tha zoti Dervishi.
Studiuesit shprehën habinë se si në renditjen e socialistëve janë zbritur shumë poshtë në lista kandidatë, që kanë drejtuar reformat më të rëndësishme si Fatmir Xhafa i reformës në drejtësi dhe në krye të listave erdhën emra tërësisht të rinj dhe pa një lidhje direkte me politikën.
Ndërsa listat e opozitës u ndikuan shumë nga futja e emrave të aleatëve prej partive të vogla.
Analistët pohojnë se në këto zgjedhje përbëjnë lajm politikanët me integritet, që u larguan me dëshirë apo pa dëshirë, dhe jo të rinjtë e sapoardhur.
“Unë nuk besoj që do të kemi shumë surpriza. Qeveria e re, cilado që do të jetë, do të ballafaqohet me një Shqipëri të re, në kuptimin që pritshmëritë e qytetarëve janë shumë më të larta se sa në momentin zgjedhor që ne shikojmë. Cilado qeveria që do të vijë do ta ketë shumë të vështirë menaxhimin e vendit në raport me pritshmëritë e rritura të qytetarëve” – tha zoti Ceka.
Mësimi i madh për të gjithë palët është, sipas analistëve, se parlamenti nuk lihet bosh dhe duhet të jetë arenë debati.
Këtë vit do të bëhen bashkë, thonë ata, pjesa e zgjeruar me politikanë shumëvjeçarë dhe pjesa tjetër me deputetë rishtarë pa përvojë, që pritet çfarë do të artikulojnë konkretisht, në dobi të qytetarëve apo në dobi të kryetarëve./VOA