“Nuk jemi një familje raciste”. Ky ishte komenti i parë i Dukës së Cambridge pas akuzave të çiftit Harry dhe Meghan në intervistën që shkundi Mbretërinë Britanike. Duke folur gjatë një vizite në lindje të Londrës, Princi William tha se nuk ka qenë në kontakt me vëllain e tij, por shtoi se do të flasë shumë shpejt me të.
Meghan Markle dhe Princi Harry thanë për Oprah Winfrey se një anëtar i familjes mbretërore pati shprehur shqetësime lidhur me faktin se sa e errët mund të ishte lëkura e djalit të tyre Archie.
Të dy refuzuan të zbulonin se kush e kishte bërë këtë koment, por më pas sqaruan se nuk ishte as Mbretëresha Elizabet dhe as bashkëshorti i saj, Duka i Edinburgut.
Buckingham Palace, në një deklaratë zyrtare tha se pretendimet janë shqetësuese, por çështja do të adresohet në mënyrë serioze dhe privatisht. Mbretëresha Elizabet u shpreh e pikëlluar për vuajtjet që kanë përjetuar Harry dhe Meghan, ndërsa u ofroi mbështetje duke thënë se do të jenë gjithmonë pjestarë të dashur të familjes.
Gjatë intervistës, Meghan tha se kishte menduar vetëvrasjen nga presioni i madh psikologjik, ndërsa Princi Harry bëri të ditur se mosadresimi i lajmeve të rreme të publikuara në media dhe i çështjes së racizmit kishin pasur shumë ndikim në heqjen dorë nga funksionet e tyre mbretërore.