Nga Robert Ellis
Përpjekjet e Bashkimit Evropian për të nxitur një dialog pozitiv me dy nga kërcënimet më të menjëhershme ndaj sigurisë së saj, Rusinë dhe Turqinë, kanë dështuar. Kur diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell, vizitoi Moskën në muajin shkurt, ai u tall dhe poshtërua.
Siç shkroi më pas Borrell në blogun e tij, synimi i vizitës së tij ishte të adresohej “përmes diplomacisë parimore” përkeqësimi i shpejtë i marrëdhënieve BE-Rusi. Gjithashtu, ai synoi të shprehte kritikat e ashpra të BE-së ndaj helmimit, arrestimit dhe dënimit të disidentit rus Aleksei Navalni dhe arrestimet masive të mijëra demonstruesve që protestuan pro tij.
Por lënë mënjanë qëllimet, vizita e Borrell rezultoi në një fiasko. Përpjekjet e tij u shpërblyen me një konferencë shtypi “të organizuar në mënyrë agresive” me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, dhe dëbimin e 3 diplomatëve të BE-së nga Rusia.
Ndërkohë përpjekjet e Brukselit për t’u afruar me Ankaranë duket se po shkonin më mirë, derisa skandali “Sofa Gate” i javës së kaluar kërcënoi që t’i sabotojë ato. Shenjat u dukën premtuese në një takim të janarit të këtij viti, midis Borrell dhe Ministrit të Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu.
Ai takim ishte shprehje e gatishmërisë së BE-së për të pasur një “dialog konstruktiv” dhe “axhendë pozitive” me Turqinë, siç u deklarua edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel pas një samiti të udhëheqësve të BE-së në tetor 2020.
Pastaj, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen, zhvilloi një video konferencë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në fillimin e vitit të ri, ku ajo fitoi bindjen se Turqia e shihte të ardhmen e saj në Evropë, dhe se ajo “donte të çelte një faqe të re” në marrëdhëniet e saj me BE-në.
Gjërat po shkonin kaq mirë, ndaj presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel dhe Von der Lejen hodhën idenë e një vizite në Ankara, gjatë një tjetër video-konference përpara një samiti tjetër të BE-së në Mars.
Erdogan u përgjigj se ai priste që samiti të jepte një rezultat pozitiv, dhe tha se përditësimi i marrëveshjes së emigrantëve të vitit 2016, mund të hidhte bazat për një axhendë pozitive.Në deklaratën e tij, Këshilli Evropian shpalli gatishmërinë e tij për tu angazhuar me Turqinë “në mënyrë fazore, proporcionale dhe të kthyeshme”, për të rritur bashkëpunimin në një numër fushash me interes të përbashkët, kryesisht në modernizimin e Unionit Doganor, së bashku me vazhdimin e financimi për refugjatët sirianë që ndodhen në Turqi.
Pastaj, përpara vizitës së javës së kaluar në Ankara, Mishel dhe Von der Lejen morën një letër të hapur nga 20 grupe të të drejtave të njeriut, ku u bëhej thirrje t’i jepnin përparësi sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njerëzve në Tuqqi.
Von der Lejen deklaroi më pas se synimi i vizitës ishte t’i jepte një hov të ri marrëdhënies BE-Turqi, dhe duhet thënë që ata patën sukses. Por ndoshta jo në mënyrën që synonin. Në një moment të vështirë të njohur tani si “Sofa Gate”, presidentja e KE u la në këmbë në fillim të takimit me Erdogan.
Më pas, zonja Von der Lejen theksoi se takimi “interesant” kishte prekur lidhjet ekonomike, dialogun e nivelit të lartë, kontaktet mes njerëzve, dhe ato mbi refugjatët dhe emigracionin. Gjithashtu ajo tha se tërheqja e Turqisë nga Konventa e Stambollit për të mbrojtur gratë nga dhuna, ishte “sinjali i gabuar”.
Turqia i ka hedhur fajin BE-së për gafën me mënyrën e uljes së protagonistëve të atij takimi. Por sipas çdo lloj standardi, ai moment përfaqësonte me siguri një shmangie nga mikpritja që Turqia u ofron normalisht vizitorëve të huaj.
Kryeministri italian Mario Dragi e konsideroi të papërshtatshme sjelljen e Erdoganit, dhe e quajti atë “një diktator”. Që nga ajo ditë, ish-kryeministri belg Mishel ka kaluar netë pa gjumë, pasi akuzohet se e la kolegen e tij në baltë, duke mos hezituar të zinte vendin e caktuar për të.
“Sofa Gate”, mund të shpërfillet si një stuhi në një filxhan çaji. Por duke shënjestruar BE-së për këtë skandal, Erdogan mund të ketë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme fillimin e një afrimi midis BE-së dhe Turqisë.
Ish-diplomati turk Ali Dinçer pati një pikëpamje të ndryshme mbi incidentin, duke e quajtur trajtimin e Von der Lejen dhe Mishel në Ankara “si të turpshëm dhe pasojë të natyrshme dhe tragjike të një politike jo parimore dhe thjesht pa vlera, që ka diktuar prej vitesh Berlini në mënyrë të njëanshme mbi gjithë bllokun”. / “Euractiv” – Bota.al