Partia Socialiste kuotohet forcë e parë në qarqet kryesore që mund të vendosin qeverinë e ardhshme. Edhe 8 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit dhe sipas sondazheve PS pritet të jetë fituese, ndërsa PD ka një rritje të ndjeshme, ndërsa LSI është partia më e humbur në këtë mes.
Televizionet në vend kanë realizuar disa sondazhe dhe javën e fundit ato janë përqendruar te 6 qarqet kryesore. Kompania “MRB” ka kryer sondazhe në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier, ndërsa kompania IPSOS në qarqet e mësipërme, por edhe në Shkodër dhe në Vlorë. Nga të dhënat e këtyre sondazheve rezulton se në 6 qarqet PS merr 55 mandate, PD merr 45 mandate, ndërsa LSI merr vetëm 2 mandate.
Nëse i marrim qarqet me radhë, sipas sondazheve të këtyre dy kompanive në Tiranë PS kuotohet te 18 mandate, aq dhe sa ka momentalisht, ndërsa PD ka rritje të ndjeshme, pasi kuotohet në 16 mandate. Krahasuar me 2017 ka një rritje prej 5 mandatesh. Ajo që humb është Lëvizja Socialiste për Integrim. LSI zbret nga 5 mandate në 2 mandate. Nëse shohim me kujdes PD merr 3 mandatet e LSI në kryeqytet dhe dy mandate shtesë që ka qarku i Tiranë, pasi nga 34 mandate ka shkuar në 36 mandate.
Sa i takon Durrësit kemi një garë shumë të fortë. PD dhe PS kuotohen në 7 mandate, ndërsa LSI del me zero mandate edhe pse atje ka dërguar të gjithë arsenalin e saj. Një qark tjetër është Elbasani, ku PS kuotohet në 8 mandate, ndërsa PD në rreth 6 mandate, ndërsa LSI del me zero mandate. Fieri është qarku ku PS është me rritje, pasi parashikohet të shkojë nga 10 në 11 mandate, ndërsa PD mbetet në 5 mandate, ndërsa LSI humbet 2 mandate krahasuar me vitin 2017. Vlora është një tjetër bastion ku e majta dominon.
Presidenti ka zbritur vetë në qytetin bregdetar dhe po lufton fort që LSI të marrë një mandat, por sipas sondazheve kjo parti del me zero mandate. PD ka rritje të ndjeshme pasi shkon në 4 mandate dhe lufton për të pestin. Ndërsa PS kuotohet në 8 mandate, por mund të zbresë dhe në 7. Shkodra do vijojë të mbetet e djathtë pasi PS parashikohet me rënie. PD kuotohet te 7 mandate, PS në 3 mandate ndërsa një mandat e merr Tom Doshi. Pra LSI në 6 qarqet kryesore të vendit del me vetëm 2 mandate, ndërsa 11 mandate tjera duket se ia merr PD. Ndërkohë sa u takon qarqeve të tjerë me shumë gjasë del me zero mandate.
Ndarja e votave
Në sondazhet e muajit janar, LSI u kuotua në nivelin e 10.3 për qind që nëse përkthejmë në vota kombëtare, krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 2017, rrotullohet te diku 166 mijë vota. Në 2017 kjo parti mori 220 mijë vota dhe 14.3 për qind të votave. Në sondazhin e shkurtit kjo parti u kuotoua në 9.1 për qind, që nëse llogarisim me numër votash me pjesëmarrjen në 2017 kuotohet te 146 mijë vota. Në sondazhin e tretë LSI kuotohet te 7.6 për qind, që do të thotë rreth 120 mijë vota.
Ndërsa në sondazhin e fundit LSI ra në 5.2 për qind ose në rreth 83 mijë vota. Krahasuar me vitin 2017, partia e Monika Kryemadhit humbet rreth 140 mijë vota dhe pjesa dërrmuese e tyre shkojnë për PD. Demokratët rriten ndjeshëm sipas sondazheve, pasia PS është diku te rreth 8 pikë para. Nëse shohim përqindjet, rezulton se humbjen më të madhe LSI e ka pasur në muajin prill. Bëhet fjalë për rreth 40 mijë votues të larguar tani. Ndërkohë shihet në periudhat e tjera se i largohen nga 20 mijë votues çdo muaj. Pra duket se beteja e 25 prillit e LSI është me PD dhe jo me PS. Realiteti tregon se është PD ajo e cila po ia merr të gjithë votuesit LSI. PS ia mori në 2017 dhe ata që i kanë mbetur kanë qenë demokratë të larguar në 2013 që po kthehen te PD.