Është mbyllur sot një tjetër spital Covid në vend. Pas nxjerrjes jashtë funksionit të Covid 3, mbeten vetëm dy spitale funksionale për pacientët e infektuar me coronavirus.
Javët e fundit ka pasur një rënie të kurbës së infektimeve dhe rrjedhimisht dhe të personave që kanë ndërruar jetë. Vetëm disa ditë më parë Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbylljen e spitalit COVID4, për shkak të numrit të ulët të shtrimeve në spital.
Nga fillimi i fushatës së vaksinimit, janë vaksinuar në total 324 840 persona. Vetëm në 24 orët e fundit janë vaksinuar 10,218 qytetarë ku procesi i vaksinimit masiv ka vijuar në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për të moshuarit +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.
Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.