Sot në aeroportin e Kukësit u ul avioni i parë dhe kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij shpjegoi se përse aeroporti do të mbajë emrin “Zayed, Flatrat e Veriut”.
Rama ka shpjeguar edhe pse aeroporti mban emrin “Zayed – Flatrat e Veriut”, duke kujtuar faktin se në Kukës qëndruan shqiptarët e dëbuar nga regjimi kriminal serb i kohës.
“Ky aeroport quhet Zajed – Flatrat e veriut, sepse është ndër të tjera edhe vend kujtese. Është tempull i kujtesës të kësaj zone. Në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën me dhunë dhe ishin viktima të spastrimit etnik. Muhamed Zajed është i biri i një burri të urtë që ka njohur kjo botë, që arriti t’ju japë jetë Emirateve të Bashkuara Arabe. Sheikët erdhën këtu dhe u kujdesën për refugjatët e luftës. Babai i Zajed kishte dhënë urdhër që të hapej pista.
Gjurma e aeroportit është nga ajo kohë, kur ndodhte pastrim etnik. Babai i Zajed e merrte në telefon të birin dhe i thoshte që të shpërndajë ndihma dhe të mos kishte dallime për arsye fetare. Aeroporti është edhe “Flatrat e veriut”, sepse këtu në Kukës është veriu i Shqipërisë, por andej nga erdhën vëllezërit e motrat tanë është veriu i shqiptarisë. Andej kishte zhvillime të mëdha , që përfundoi me pavarësinë e Kosovës. Këtu u shkrua një faqe e shenjtë e historisë shqiptare”, u shpreh Rama.