Detaje të reja mësohen për krimin e pasionit që tronditi kryeqytetin mesditën e së dielës, kur Aldison Belulaj vrau me pesë plumba Ariela Muratin.
Siç raporton për “BalkanWeb” gazetarja Dorjana Bezat, studentja e Juridikut, 21-vjeçarja Ariela Murati ka qënë e lidhur me djalin që e vrau për katër vite, që në kohën kur ishin gjimnazistë.
Por para dy muajsh, në nëntor të 2017-ës çifti është ndarë e ka shkëputur çdo kontakt. Gjatë kësaj kohe Aldisoni e ka shqetësuar Arielën në telefon duke mos pranuar ndarjen.
Madje kohët e fundit Ariela po shoqërohej me një djalë tjetër dhe këtë fakt e ka marrë vesh edhe Aldisoni.
Para 10 ditësh për të mos pasur më asnjë kontakt me ish-të dashurin, Ariela ka ndërruar edhe numrin e telefonit.
Ky veprim me sa duket ka acaruar gjendjen mendore të Aldisonit, i cili ka kërkuar një kontakt të saj edhe tek familjarët e vajzës.
Ditën e ngjarjes Aldisoni e ka ndalur në rrugë Arielën e cila ka qenë e shoqëruar me motrën dhe kushërirën. Motra dhe kushërira janë distancuar dhe nuk kanë dëgjuar dialogun mes të rinjve.
Ato janë kthyer vetëm kur kanë dëgjuar Arielën të bërtiste “mos më vrit”. Vajza është ulur në gjunjë është përpjekur të qetësojë autorin, por ai e ka qëlluar. Viktima ka një plagë plumbi tejshpuese në dorën e djathtë dhe në këmbën e djathtë dhe një plumb në kokë.
(m.a/BalkanWeb)