Policia është hedhur në veprim kundër grupeve paramilitare të Partisë Demokratike për mbrojtjen e votës. Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Fier, Enkelejd Alibeaj dhe 22 militantë të Partisë Demokratike janë proceduar penalisht nga policia.
Nisja e hetimeve ndaj Alibeajt dhe të militantëve të tjerë të Partisë Demokratike u bë me dije nga polica me anë të një komunikate për shtyp. Sipas njoftimit nga polica, ajo që ka denoncuar për këtë rast ka qenë një qytetare, e cila ka raportuar se në afërsi të banesës së saj ka pasur një grumbull personash po ashtu edhe automjetesh, të cilët kanë qenë pjesë e subjektit politik të Partisë Demokratike.
Në njoftim bëhet me dije se, këta persona pretendonin se ishin aty për të mbrojtur votën. Po ashtu, policia bën me dije se pasi ndaj këtyre shtesave u mor masa administrative për shkelje të aktit normativ dhe iu kërkua që të shkonin në banesat e tyre, në vendngjarje ka mbërritur edhe drejtuesi politik i kësaj partie për qarkun Fier, Enkelejd Alibeaj me disa simpatizantë të tjerë, të cilët edhe pas thirrjeve që ju bëri policia për t’u larguar, bllokuan rrugën. “Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, filloi procedimi penal për 22 shtetas.
Në datë 24.04.2021, në orën 22:35, në Sallën Operative ka telefonuar një qytetare e cila thotë se në fshatin Shën e Premte, Divjakë, përreth banesës së saj ka grumbullim personash dhe automjetesh. Pas telefonatës, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe konstatuan se përreth banesës së shtetases K. G. ishin grumbulluar disa mbështetës të një subjekti politik, të cilët pasi u pyetën nga policia, pretendonin se ishin për mbrojtjen e votës së lirë”, thuhet në njoftim.
Ndalime edhe në Dibër
Ndërkohë edhe në Dibër nga policia ka proceduar penalisht disa persona, të cilët kishin dalë në terren për të mbrojtur votën. Dy personat të cilët janë anëtarë të strukturës së Partisë Demokratike për mbrojtjen e votës në Dibër, janë vënë nën hetim, pasi kanë bllokuar automjetin e kreut të Partisë Socialiste në Arras.
Sipas njoftimit nga policia shtetasit me inicialet F.A. dhe L.S. ndaluan dhe kontrolluan automjetin e kreut të PS në Arras, Agron Cerrit, me pretendimin se ky i fundit posedonte materiale që mund të ndikonin në procesin zgjedhor. Sipas policisë, ata e kanë mbajtur të bllokuar mjetin deri kur ka mbërritur policia. Por, pas kontrolleve të bëra nga policia në automjetin e kreut të Partisë Socialiste Agron Cerri nuk u gjet asnjë send kompromentues në lidhje me procesin zgjedhor. Po ashtu, policia bën me dije se po vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë, të cilët mund të kenë qenë të përfshirë në këtë ngjarje.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, filloi procedimi penal, dhe u referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale për shtetasit: F. A., 54 vjeç, S. L., 46 vjeç, banues në Dibër, (simpatizanë të një subjekti politik).
Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në fshatin Arras, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në drejtim të heqjes së paligjshme të lirisë, kundrejt shtetasit A.C. Këta shtetas kanë ndaluar dhe kontrolluar automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C., (kryetar i degës lokale i një subjekti politik) dhe është mbajtur i bllokuar deri në mbërritjen e shërbimeve të Policisë, me pretendimin se ky shtetas, posedonte materiale që mund të ndikonin në procesin zgjedhor”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.