Procesi i votimeve është shoqëruar nga një sërë problematikash. Ditën e djeshëm qytetarët shqiptarë kanë shkuar pranë KZAZ-ve për të votuar partinë që duan t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme.
Procesi ka vijuar normalisht, por në disa prej qendrave të votimit ka pasur incidente teknike dhe vonesa. Ishte kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, i cili bëri me dije se 142 qendra kanë nisur punën me vonesë për shkak të problemit me pajisjen e identifikimit elektronik apo nga mos paraqitja në kohë e komisionerëve. Celibashi tha se, në këto qendra nuk është bëri i mundur identifikimi elektronik prandaj komisionerët kanë vijuar punën manualisht, çka vonoi procesin dhe ka krijuar radhë votuesish jashtë KZAZ-ve, madje në një qendër është ndërprerë procesi.
Ai shtoi se, disa qendra votimi kanë filluar punën me vonesë për shkak se ka pasur përplasje mes komisionerëve, si rasti në Libonik, ku komisionerët e PS u konfliktuan me ata të PD. “Aktualisht janë 142 qendra votimi në të cilat identifikimi po bëhet në mënyrë manuale, nuk po përdoret paisja elektronike. 83 qendra votimi nuk janë duke e zhvilluar këtë proces sepse nuk janë paraqitur operatorët.
Pjesa tjetër në, total 124, kanë patur probleme me printimin. Gjithsesi, në raste kur pajisja nuk e printon fletën, procesi i votimit duhet që të vijojë. Në disa raste komisioni i qendrës së votimit nuk ka pritur këshillimin e ka kaluar në identifikimin manual. Ka raste sporadike pezullim të përkohshëm. Ka dhe problematika të tjera kryesisht konflikte ndërmjet anëtarëve të komisionit”, tha Celibashi.
Hakerët sulmojnë aplikacionin
Ndërsa procesi i votimit në vend vijonte normalisht, Celibashi njoftoi në një deklaratë publike se aplikacioni i KQZ është sulmuar nga Hakerët. Sipas tij, ata po publikojnë të dhëna të rreme sepse në aq pak orë nuk mund të pasqyrohet numri i saktë i votuesve. “Aplikacioni i KQZ është sulmuar dhe teknikët po punojnë për ta zgjidhur. Nëse kjo nuk zgjidhet kemi dhe një plan B dhe C, për të mbledhur pjesëmarrjen.
Në të pasqyrohen më pak qendra votimi në aplikacion, prej 1 orë s’mund ta marrim këtë informacion, se sistemi i raportimit është sulmuar në pikëpamje informatike”, tha Celibashi. Dy orë më pas KQZ doli në një tjetër deklaratë ku tregoi se ky problem është zgjidhur dhe të dhënat mbi procesin e votimit po pasqyrohen rregullisht. “Zgjat pak minuta problemi mbi bllokimin e serverit të KQZ për raportimin në kohë reale të pjesëmarrjes së votuesve. Aplikacioni është rregulluar dhe vijon përditësimin normalisht”, njoftoi KQZ.
Incidente të tjera
Gjithashtu dje kanë ndodhur edhe një sërë incidentesh të tjera ku; përfaqësues të partive janë përplasur me njëri tjetrin ose qytetarët kanë shkelur rregullat e votimit. KQZ njoftoi se, kandidati i LSI, Shemsi Prençi ka shkaktuar tension në një KZAZ në Durrës. Ai është shfaqur i shoqëruar nga truproja e tij duke u bërë pritë qytetarëve që u janë drejtuar kutive të votimit. Policia e ka larguar menjëherë Prençin dhe procesi ka vazhduar normalisht. Ndërkohë, një tjetër person në Tiranë është kapur duke votuar dy herë dhe për këtë policia e ka shoqëruar menjëherë në komisariat. Sipas të dhënave, votuesi pasi ka marrë fletën e votimit ka votuar PD dhe e ka filmuar votën dhe i ka thënë komisionit se iu prish fleta e votimit. Komisioni i ka dhënë një fletë tjetër votimi dhe ky pasi ka votuar LSI e ka filmuar përsëri votën. Ky veprim është vënë re nga vëzhguesit dhe e kanë bllokuar. Nuk kanë munguar as qytetarët që kanë kërkuar të votojnë familjarisht.
Plagoset polici
Një efektiv policia ka mbetur i plagosur me thikë gjatë mbylljes së procesit të votimit në Qafe Mali në Pukë. Sipas policisë, i dëmtuar ka mbetur Gëzim Osmanaj i cili u dërgua për mjekim në spitalin e Pukës. M. Lleshaj, është autori i plagosjes ndaj efektivit të policisë pranë qendrës së votimit. Autori nuk kishte lidhje me procesin zgjedhor, ai është bezdisur nga prania e efektiveve jashtë ambienteve të Qendrës së Votimit dhe ka pasur një konflikt të çastit me efektivin ku më pas e ka qëlluar me thikë.