Nga Klodian Tomorri
Së pari, theu tabunë e mandatit të tretë, që nuk e kishte thyer askush në Shqipërinë postkomuniste.
Së dyti, mundi opozitën e veshur me stof izraelit në moçalin e madh shqiptar. Kur në media publikoheshin faktet e skandaleve flagrante të qeverisë në ditët e fushatës si Becchetti apo ai i të dhënave, këshilltarët izraelitë e këshillonin opozitën të heshtte dhe të mos shfokusohej nga mesazhi. Madje, të dielën në darkë pas mbylljes së kutive, kërcenin në tavolinat e opozitës duke festuar fitoren.
Së treti, mundi të gjithë atë vargun e madh të partive mediokre që ju bashkangjitën opozitës si shushunja. Ato nuk kanë vota, por duan të hanë pushtet me votat e të tjerëve.
Së katërti, na mundi në që flasim lart e poshtë nëpër studio, portale apo rrjetet sociale për regjimin oligarkik dhe korrupsionin e ngritur në sistem. Qytetarët në Shqipëri mendokan ndryshe.
Së pesti, Edi Rama ka mundur dhe fatin. Ky është një ndër kryeministrat e paktë në planet, që është rikonfirmuar në detyrë gjatë pandemisë. Është dhe njëri që bredh me bicikletë atje në Hollandë, por ai 20 për qind të votave ka dhe ka mbledhur nja 30 parti aty që qeveris.
Ky i mundi të gjithë, por tani rreziku është për të gjithë. Sigurisht që në mandatin e tretë, Shqipëria do të ketë një qeverisje shumë më arrogante se ajo që kishte në katër vitet e fundit. Rreziku është që do të ketë më shumë ngjarje si ajo e teatrit, më shumë ligje si ai i aeroportit, Fushës dhe të tjerë.
Por rreziku më i madh është mesazhi që përcjell ky rezultat. Në Shqipëri mund të qeverisësh keq, mund të jesh arrogant dhe prapë të votohesh.
Tani, e vetmja mbrojtje ndaj gjithë këtyre rreziqeve është opozita. Rreziku i demotivimit opozitar pas humbjes është i madh. Por Shqipëria ka nevojë që të ketë një opozitë të fortë në parlament, dhe opozita ka detyrimin të mbrojë fort interesin publik përtej çdo pazari. Ndryshe revanshi i qeverisë do të jetë i papërmbajtshëm.