Juristi Romeo Kara shprehet i bindur se shkrirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të sjellë edhe fundin e Monika Kryemadhit dhe presidentin Ilir Meta.
Duke iu referuar shifrave të deritanishme ku LSI ka marrë goditje të madhe në zgjedhjet parlamentare, të shumë janë persona që kanë reaguar e madje ka pasur edhe nga ata që kanë kërkuar dorëheqjen e Kryemadhit dhe të Metës.
Njëri prej tyre është edhe juristi Kara, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale shkruan se Ilir Meta do ikë shumë shpejt nga Presidenca. “Pasi iku nga mendtë, iku dhe nga qarkullimi. Shumë shpejt besoj edhe Presidenca do të çlirohet nga makthi i saj. Toma i vetëm merr mbi 20 mijë vota, pothuaj 1/3 e LSI. Arsyeja: nuk ka shok Fahriun dhe grua Monikën”, shkruan ai.
Më tej në një status të dytë, juristi Kara shprehet se qytetarët e ndëshkuan Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi askush nuk ja harro korrupsionin presidentit Ilir Meta dhe videon ku ky i fundit u shfaq me bllok në dorë ku, sipas tij, bënte pazare.
“Presidenti i 7% të pazareve me bllok në dore me Dritan Priftin dhe i 7% të votave nga sovrani. Sipas ligjit edhe në shoqëritë aksionare, kur zotëron nën 25%, nuk ke pothuaj asnjë të drejtë mbi politikat dhe vendimmarrjet e shoqërisë. Sovrani foli dhe vendosi. Meta tashmë i përket së kaluarës”, nënvizoi Kara. Nga ana tjetër humbjen e LSI e ka komentuar edhe Partia Socialiste.
Kjo e fundit ka arritur që të “shkrijë” Lëvizjen Socialiste për Integrim në Korçë, duke i rrëmbyer asaj rreth 11 mijë vota në zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë të diel, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017. Por këshilltari i Ministrit të Mbrojtjes, njëherësh drejtuesi politik i PS në Qarkun e Korçës, Niko Peleshit, zoti Fatjon Hoxhalli, përmes një statusi në rrjetet sociale theksoi se shkrirja e LSI ishte sfidë patriotike. “Fitorja e zgjedhjeve – sfidë politike.
Shkrirja e LSI – sfidë patriotike. Korça e pastër”, shkruan Hoxhalli. Në Korçë Partia Socialiste ka fituar 6 mandate ose 60542 vota, krahasuar me Partinë Demokratike që ka marrë 5 mandate ose 50479 vota. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti të merrte asnjë mandat deputeti në Qarkun Korçë, ku listën e partisë së Monika Kryemadhit e printe sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari.