Vendi mund të shkojë drejt një bashkëqeverisje mes PS dhe PD. Dalja jashtë loje e Ilir Metës dhe rritja e presionit amerikan për të përmbyllur reformat, mund të çojë Ramën dhe Bashën drejt një aleance për të qeverisur bashkë. LSI ka vetëm 4 mandate dhe tashmë Ilir Meta nëse nuk shkarkohet vitin që vjen ikën nga Presidenca, duke mos pasur asnjë lloj posti.
Nga ana tjetër, partneri kryesor i Shqipërisë kërkon konsensus politik dhe avancim me reformat për integrimin në BE. Departamenti i Shtetit ka nxjerrë dje një deklaratë, ku tregon pikat mbi ndërhyrjen e tyre në Ballkanin Perëndimor. Fokusi është Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ku bëhet e ditur se duhet të avancohet me luftën ndaj korrupsionit dhe reformën në drejtësi për të hyrë në BE.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj mbështetjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në rrugën drejt integrimit dhe anëtarësimit në institucionet kyçe Europiane dhe Euro-Atlantike. Ne po punojnë me shtetet e Ballkanit Perëndimor si dhe partnerët tanë Europianë për të vazhduar reformat qeveritare, luftën ndaj korrupsionit dhe shtetin ligjor- si dhe promovimin e mediave të pavarura dhe shoqërive civile kumbuese- të cilat do të përforcojnë perspektivën Europiane në rajon dhe do të avancojnë qëllimin afat-gjatë për një Europë të bashkuar, të lirë dhe të paqësore”, shkruan deklarata e DASH.
Ftesa e Ramës për Bashën
Në të njëjtën ditë kur amerikanët e bënë të qartë se tashmë reformat duhet të mbyllen dhe vendi të bëhet gati drejt BE, kryeministri Rama i bëri ftesë publike Bashës që të jenë bashkë për të mirën e vendit dhe sidomos për integrimin në BE e realizimin reformave. Duke folur nga sheshi “Skënderbej”, ku dhe shpalli fitoren, Rama kërkoi bashkëpunim pa kushte me Bashën, për të mirën e vendit. “Shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë dhe konkret pa asnjë paragjykim.
Nuk na ndajnë qëllimet madhore, ne duam integrimin në BE, por duke e bërë hendek balte dhe armë për të qëlluar apo asgjësuar njëri-tjetrin, ky qëllim nuk shpejtohet. Socialistë e demokratë duan nga të dyja palët që ta rrisin ekonominë dhe mirëqenien, por duke nxitur komunikimin. E di mirë dhe e kam të qartë që ta thuash këtë është shumë e lehtë, shumë më e lehtë se ta bësh, jam më i gatshëm se asnjëherë tjetër që të përpiqem me forcat e mia edhe ta bëj, por nuk mjafton vullneti i fituesve, por duhet edhe vullneti i atij që do drejtojë PD në 4 vitet e ardhshme”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama dje u shpreh se fokusi për mandatin e tretë është bashkëpunimi dhe jo ndasia. Ai u shpreh se është fiks koha e duhur për bashkëpunim me PD pasi mandati i kushtohet punëve dhe jo sherreve. Sipas tij ashtu si politika ndan, ajo edhe mund të bashkojë. “Ndasia është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale. Mjafton të dallosh ngjyrat, një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë. Kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD, duke e bërë të qartë se mandatin e tretë duam t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive, punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë, sepse politika është e vetmja në tokë, që di t’i bëjë të dyja”, tha Rama.
Qëndrimi
Rama në ceremoninë e zhvilluar në sheshin “Skënderbej” u shpreh se Partia Socialiste fitoi si një forcë e pathyeshme përballë fatkeqësive natyrore dhe sfidave. Kreu i qeverisë komentoi edhe fushatën e Partisë Demokratike për të cilën u shpreh se ishte fushata më e mirë në historinë e saj. “Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore. Basha dhe PD ishin një skuadër e mirë, demokratët ishin kundërshtarë jo shumë të lehtë që meritojnë vlerësim për përpjekjen për të arritur të paarritshmen për ta. Më shumë se kaq nuk bëni dot, madje bënë më shumë.
Mesazhi im është pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se bëre sa munde. Miq demokratë jemi më të mirë, ju jeni më të mirët pas nesh, ky është fakt dhe faktet pranohen, nuk luftohen, nuk më takon mua dhe nuk është përgjegjësia as e drejta jonë të vendosim se si do e pranoni, nëse do jetë apo jo Basha në 4 vitet e ardhshme është puna juaj, por me apo pa Bashën, opozita jonë është vetja jonë”, tha Rama.