Liderët botërorë kanë uruar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit. Ambasadori britanik Duncan Norman, me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa ka uruar Ramën, po ashtu falënderon edhe qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen e lartë në këto zgjedhje. Ai nuk ka lënë pa përgëzuar edhe fushatën e bërë nga Partia Demokratike.
Ai bëri me dije se Britania ka ndjekur nga afër edhe organizmin e zgjedhjeve ne vendin tonë. “Urime kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve të Covid-19. Theksojmë gjithashtu fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat. Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur dhe ka ndjekur nga afër përgatitjen dhe organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Inkurajojmë gjithashtu institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin zgjedhor”, shkruan Norman. Ndërkohë, një mesazh urimi për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit kryeministri Edi Rama e ka marrë edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron. Në urimin e tij Macron e uron kryeministrin për mandatin e 3 në krye të qeverisë. “Urime për mandatin e tretë qeverisës”, tha ai. Po ashtu, edhe ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka uruar për fitoren.
Përmes një postimi ai shkruan se zgjedhjet në vendin tonë kishin një organizim të shkëlqyer. Di Maio thekson se zgjedhjet e 25 prillit, janë një hap i rëndësishëm para në rrugën e saj drejt BE. “Ministria e Punëve të Jashtme ka mirëpritur zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri të Dielën, 25 Prill.
Italia vlerëson organizimin e shkëlqyeshëm të procesit zgjedhor, siç tregohet nga OSBE / ODIHR në raportin e saj paraprak. Në veçanti, profesionalizmi dhe transparenca e demonstruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në njoftim. Kryeministri Rama po ashtu zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayp Erdogan dhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, të cilët e uruan për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.