Mazhoranca do të nisë ditën e hënë procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta nga detyra. Ashtu si u paralajmërua nga kryeministri Edi Rama në 23 prill, Parlamenti aktual do të nisë procedurat e shkarkimit me argumentin e shkeljes së Kushtetutës duke bërë thirrje për dhunë dhe duke marrë pjesë në fushatë për zgjedhjet e 15 prillit.
Sipas informacioneve, deputetët aktualë kanë nisur mbledhjen e firmave dhe pritet që javën e ardhshme të ngrihet komisioni hetimor, i cili do të analizojë shkeljet e presidentit Ilir Meta. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë futur presidentin Ilir Meta në listën e zezë. Ndryshe nga sa ndodhi një vit më parë, gazeta ka mësuar se këtë herë PS e ka seriozisht shkarkimin dhe shumë shpejt vendimi do i shkojë Kushtetueses, e cila do vendosë në fund.
Nëse Meta shkarkohet, atëherë duket se do të jetë politikani më i rrezikuar nga SPAK, por që me shumë gjasë mund të shpallet “non grata” nga SHBA. Duke qenë se opozita humbi zgjedhjet, Meta do të dalë si qytetar i lirë pa asnjë lloj imuniteti. Vetë presidenti e pranoi se SHBA ka një dosje kundër tij. Zërat në korridoret e politikës flasin se pas shkarkimit të tij, SPAK mund të nisë një proces penal, si për pasurinë ashtu dhe për afera të tjera.
Kërcënimet e tij ndaj amerikanëve me raketa ruse e koreane duket se do i kushtojnë shtrenjtë. Të njëjtën gjë bëri edhe Adriatik Llalla dhe u shpall “non grata”, ndërsa përfundoi në SPAK. Me shumë gjasë, sapo Meta të shkarkohet pritet të shpallet i padëshiruar nga amerikanët dhe më pas të përfundojë nën hetim. Fakti që SHBA ka dosje ndaj tij, është tregues i qartë se do të kemi një goditje të fortë nga Uashingtoni.
Reagon Balla
Dje Meta deklaroi se nuk do të dorëhiqet edhe pse e premtoi diçka të tillë, por ishte kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ai i cili e bëri të qartë se presidenti nuk do të rrijë më në atë detyrë. “Me baba dridhe Liken çuditen vetëm ata që se kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun në Gjirin e Lalëzit.
Ndërkohë edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, në një intervistë televizive u ndal në deklaratat e Presidentit të Republikës Ilir Meta disa ditë para zgjedhjeve, ku tha se nëse kryeministri Edi Rama shpallet fitues, ai do të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit. Veliaj u shpreh se nuk u surprizua nga mosdorëheqja e presidentit. Ai e cilësoi atë si njëri që se mban fjalën. Po ashtu, tha se përveç presidentit edhe figura të tjera të PD kanë thënë se do të jepnin dorëheqjen, por sipas tij nuk do ta japin. “Unë jo, se kam pritur kurrë, ai se mban fjalën dhe s’ka burrëri.
Ai njeri që thotë mbaj fjalën, jam burrë, janë pikërisht mashtruesit kronikë. Unë s’e kam pritur kurrë. Edhe Grida Duma që tha po humba në Kavajë jap dorëheqjen, por nuk e jep është e sigurt. Ata janë gënjeshtarë kronikë. Për ne është përgjegjësi e madhe, që në ato bastione që kemi ftuar, që është Astiri të mbarojmë unazën. Do të punojmë fort në Kavajë, që Kavaja të ketë sezon të mirë turistik”, tha ai. Duke qenë se Parlamenti i dalë nga 25 prilli merr detyrën në shtator, PS ka shansin ta shkarkojë Metën me deputetët aktualë, sepse e ka numrin e nevojshëm prej 93 votash. /SHKRUAR NGA SIDORELA BRAÇJA