Shtohen sinjalet për një bashkëqeverisje të mundshme mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama i bëri një ftesë publike Bashës të martën ndërsa një gjë e tillë mbështetet edhe nga deputetët socialistë.
Ishte deputetja Mimi Kodheli e cila u shpreh pro një koalicioni mes PS dhe PD me qëllimin që Shqipëria mund të bëhet duke punuar së bashku. Kodheli tha se duhet të ketë një koalicion me PD aq më tepër në momentin kyç ku presim tryezën ndërqeveritare për çeljen e negociatave. Sipas saj, Basha është mjaftueshëm inteligjent për të mos u penguar nga presionet por të tregojë misionin e tij të vërtetë. “Jemi pro një koalicioni me bazë të gjerë, absolutisht. Fjala koalicion është e artë.
Dhe nuk është pazar, nuk do e shihja kurrë të tillë. Nëse nuk do e shihja të tillë, atëherë. Sigurisht i kanë 74 mandate. Për t’i dhënë një mesazh më së pari vetes por dhe të tjerëve, që Shqipëria mund të bëhet edhe duke punuar bashkë. Kjo nuk është një gjë, gati çuditen ose vjen pozita ose opozita. Nuk është rasti im që të them, koalicion mund dhe duhet të ketë, sidomos në momente kyçe kur presim pas një muaji ose 2 tryezën ndërqeveritare për çeljen e negociatave.
Basha është mjaftueshëm inteligjent për mos i penguar nga tensionet e presionet. Nëse ai ka një mision, kay është momenti për ta treguar”, tha Kodheli. Po ashtu për këtë çështje ka reaguar edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai u shpreh se qeveria ka nevojë për opozitën në nivel lokal dhe qendror pasi opozita është vlerë për shoqërinë. Peleshi iu bëri thirrje demokratëve të trokasin tek dera e Partisë Socialiste për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të vendit.
Sipas tij, PS nuk mban mëri dhe inat me opozitën edhe pse ata ndonjëherë e kanë tejkaluar cakun. “Ne kemi nevojë edhe për opozitën në nivel lokal edhe në nivel qendror. Opozita nuk është një fjalë e keqe, opozita është një vlerë për shoqërinë tonë dhe unë i them të gjithë demokratëve të këtij qyteti që le të shikojnë te ne, te dyert tona, te Partia Socialiste, te unë personalisht, njeriun ku mund të trokasin për të kontribuar për të mirën e qytetit.
Kemi nevojë për të gjithë, nuk mbajmë mëri, nuk kemi inat me ta edhe nëqoftëse e kanë tejkaluar, ata që vinin përdornin fjalor të papërshtatshëm në Korçë, e kishin sepse nuk e njihnin Korçën, por dalëngadalë le të mësohen”, tha Peleshi.
Reagon Kryemadhi
Teksa Partia Socialiste i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Partisë Demokratike, duket se po ndodh divorci mes LSI dhe PD. Kreu i LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se strategjia e gabuar bëri të mundur humbjen në zgjedhje. Ajo tha se kjo strategji nisi që me djegien e mandateve e deri në mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Kujtojmë se ishte iniciativa e PD për të braktisur mandatet dhe bojkotuar zgjedhjet e vitit 2019.
“Ne si LSI fatkeqësisht zbatuam një strategji që pati pasojat në këtë rezultat që nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim, një strategji të gabuar duke filluar që nga djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale që dashje pa dashje i dhamë të gjitha pushtetet Edi Ramës, bandave dhe oligarkëve. Kjo tregoi që shqetësimi i presidentit ishte i drejtë për këtë situatë që gjendemi sot dhe në emër të LSI dhe timin i kërkojmë falje për këtë çast e veprim dhe për këtë qëndrim që nuk solli gjë tjetër veçse rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët”, tha Kryemadhi./SHKRUAR NGA ALEKSANDRA HOXHAJ