Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kanë rezultuar fatale për disa emra të njohur politikanësh. Në korrik të vitit që shkoi Parlamenti i hapi rrugë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku u hapën pjesërisht listat e kandidatëve për deputet.
Në 8 mars të këtij viti, partitë politike dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputet në të 12 qarqet, ndërsa ra në sy fakti se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste zgjodhi që disa prej figurave kryesore t’i vendoset jashtë listës fituese e duke ua bërë të vështirë betejën. Bëhet fjalë për emra si Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Ilir Beqaj, Fidel Ylli, Ervin Bushati, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri dhe Bardh Spahia, të cilët nuk kanë arritur të zgjidhen dot deputetët në Parlamentin e ri.
Kodheli, Majko, Bushati dhe Ylli mbeten jashtë Parlamentit
Gazeta po sjell sot për lexuesin numrin e votave që kanë marrë emrat e sipërpërmendur dhe që mbetën jashtë Parlamentit. E para është ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila kandidonte e 21 në listën e PS për Qarkun e Tiranës, por që falë votave të marra nuk arriti dot të çante listën e bekuar nga kryeministri, njëherësh kryesocialisti Edi Rama. Zonja Kodheli sipas të dhënave të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë deri më tani 4573 vota.
Ndërkohë në Kuvendin e ardhshëm do të mungojnë edhe një tjetër “senator” i Partisë Socialiste, siç është ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Ky i fundit renditej i 19 në listën e PS për Qarkun e Tiranë, por që sipas të dhënave të KQZ, deri më tani ka marrë 6962 vota, por që janë të pamjaftueshme për të hyrë në Parlament, pasi Partia Socialiste ka marrë 18 mandate deputetësh në Tiranë dhe që ministri të rrëmbejë mandatin i duhet të thyej hersin që është 10 mijë vota. Ndërsa një tejetej emër që nuk do të hyjë në Parlamentin e ri është ai i Ervin Bushatit.
Ky i fundit është kreu i Partisë Socialiste për kryeqytetin dhe është renditur në listën fituese të socialistëve për Qarkun e Tiranës, duke u pozicionuar në vendin e tretë. Por zoti Bushati sipas të dhënëve të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vetëm 2361 vota. Kështu që në kushtet kur hersin brenda PS e kanë thyer 2 kandidatët si zoti Ornaldo Rakipi dhe Xhafaj, mandatin e tij e Bushatit e rrëmbeu djali i ish-deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, pasi ka marrë 14 mijë e 805 vota.
Po ashtu, edhe Fidel Ylli ka mbetur jashtë Parlamentit, pasi mandatin e tij e mori ish-ministri Fatmir Xhafaj. Ky i fundit theu hersin pasi ka marrë deri më tani 15369 vota, ndërsa zoti Ylli që renditej i 15 në listën e Partisë Socialiste në Tiranë, ka marrë 1568 vota. Ndërkohë, në Kuvendin e ardhshme do të mungojë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ky i fundit garonte nën siglën e PS në Qarkun e Shkodrës dhe renditej i katërti. Partia Socialiste ka marrë vetëm tre mandatet në kryeqendrën e Veriut, por votat që mori Beqaj nuk mjaftonin që t’i jepnin të drejtën atij të zgjidhej deputet. Zoti Beqaj ka marrë vetëm 3920 vota.
Bumçi, Strazimiri dhe Spahia nuk rrëzojnë dot listën e kryetarëve
Por nga ana tjetër edhe disa kandidatëve të Partisë Demokratike duket se nuk iu ka buzëqeshur fati. Në zgjedhjet e mbajtura këtë të dielë ata nuk arrtin dot të merrni votat e nevojshme për të rrëzuar listën e koalicionit “PD-AN” që ishte bekuar nga kryedemokrati Lulzim Basha. Kështu, i pari që ka mbetur jashtë Parlamentit është Gent Strazimiri.
Ky i fundit kandidonte në Qarkun e Tiranës nën siglën e koalicionit “PD-AN” dhe renditej i 19 në, ndërkohë që sipas të dhënave të publikuar nga KQZ ka marrë deri më tani 2649. Por në këtë Qark në total ky koalicion ka marrë 15 mandatet, kështu që votat e marra të Strazimirit nuk ishin të nevojshme për të thyer hersin dhe përmbysur listën e emrave fitues. Po ashtu, edhe Aldo Bumçi që kandidonte i 16 në Tiranë, nuk është zgjedhur deputet, pasi sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë deri më tani vetëm 2019 vota. Sakaq, edhe Çlirimi Gjata ka mbetur jashtë Parlamentit.
Zoti Gjata kandidonte i 21 në listën e koalicionit “PD-AN” në Tiranë, por që sipas të dhënave të publikuara nga KQZ dje, ai ka marrë deri më tani vetëm 419 vota. Nga ana tjetër, herësin nuk ka arritur ta thyej dot as bardh Spahia në qarkun e Shkodrës. Në këtë qark Partia Demokratike ka marrë 5 mandate deputetësh, por zoti Spahia renditej i shtati në listën e koalicionit “PD-AN” dhe që ka marrë 7219 vota. Pra, të gjithë këtë emra nuk do të jenë deputet në Parlamentin e ri.