Drejtoria e Pastrimit të Parave ka dërguar në polici e prokurori plot 268 persona të përfshirë në pastrim parash. Dje është publikuar raporti vjetor i saj për vitin 2020 dhe bëhet me dije se janë rritur rastet e pastrimit të parave krahasuar me një vit më parë.
Krahas dërgimit të rasteve në Prokurori dhe Polici gjatë vitit 2020 ka pasur edhe 43 raste të dërguara në DPT të konkluduara me dyshime për evazion fiskal/fshehje të ardhurash apo shkelje të tjera të legjislacionit tatimor. “Në këtë kontekst gjatë vitit 2020 DPPPP ka dërguar 83 informacione në SHISH në lidhje me çështjet të dyshuara për aktivitet kriminal. Përveç dërgimit të rasteve të reja, me rëndësi mbeten edhe informacionet vijuese apo të dhënat e reja të lidhura me çështje të dërguara më herët, të cilat konfirmojnë dhe thellojnë dyshimet e konstatuara për këto raste.
Vlen të përmendet se pesha më e madhe e rasteve të dërguara nga DPPPP i janë adresuar DPPSH, si organi ligjzbatues kryesor në vend dhe i specializuar për kryerjen e veprimeve hetimore”, thuhet në raport. Ndër rastet e dërguara në Prokurori, mbizotërojnë ato të dërguara në Prokurorinë e Tiranës, të cilat përbëjnë 58% totalit, ndërkohë që vërehet një shpërndarje e rasteve të tjera në prokuroritë e rretheve Vlorë, Elbasan, Sarandë si dhe SPAK.
Teknikat që ndiqen
Drejtoria e Pastrimit të Parave ka treguar dhe detajet sesi ka shkuar te personat e dyshimtë. Në raport tregohet se si këta persona pastrojnë paratë. Metodat më të përdorura janë: investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh; investime në mallra luksi nga persona, të cilat nuk justifikojnë burimin e fondeve apo persona me precedentë penalë;
transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje edhe në tentativë) me përfshirje të subjekteve/
shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës; sponsorizime/ dhurime/ dhënie huaje nga/ për të tretë pa u konstatuar lidhje të mundshme mes palëve; transaksione të pazakonta krahasimisht me profilin financiar të personit/subjektit; mashtrime të formave të ndryshme; transaksione financiare të kryera nga persona me precedentë të mëparshëm penalë apo
persona të lidhur me ata me precedentë; transferta të dyshimta me vende të konsideruara me risk;
ndërmjetësime të dyshimta në transaksione nga profesionistë të lirë për përftime të dyshuara pjesërisht si të paligjshme, transferta të mëdha vlerash (brenda dhe jashtë vendit) midis personave juridik të pambështetura me dokumentacion.
Fushat
Në raportin e Drejtorisë së Pastrimit të Parave bëhen me dije dhe fushat nga të cilat kanë ardhur paratë e pista. Nga trafiku i lëndëve narkotike janë shënuar 35. Në 4 raste paratë janë siguruar nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi i prostitucionit. Në 2 raste janë nga krijimi apo përfshirja në organizata kriminale. 6 raste janë para të përdorura për financim të terrorizmit. Në 13 raste janë para të siguruara përmes mashtrimeve. Në 2 raste janë siguruar përmes falsifikimeve. Ajo që bie në sy është se kemi 12 raste ku në grackë kanë rënë persona me pushtete, të përfshirë në shpërdorim detyre dhe korrupsion.
“Duke marrë në konsideratë se eksponentët e krimit, për të cilët disponohen të dhëna për veprimtari kriminale, apo personat për të cilët nga burime të ndryshme rezultojnë të dhëna për shpërdorim detyre/korrupsion, tanimë janë të familjarizuar për rreziqet ligjore që mund të kenë në rast kryerje transaksionesh në emër të tyre apo familjarëve, ka pritshmëri që një pjesë e rasteve për të cilat nuk rezulton vepër kriminale e lidhur në fazën e trajtimit të rasteve nga DPPPP, të jenë pikërisht të lidhura me dy grupimet e sipërcituara”, thuhet në raport.