Prokuroria e Posaçme ka nisur reprezaljen mes të ngelurve në veting. Ka pasur shumë diskutime nëse duhet të hetohen apo jo emrat që kanë ngelur në veting, por Prokuroria e Posaçme ka dhënë sinjale se po shkon drejt shembullit “Llalla”. Të mërkurën SPAK njoftoi se ka vendosur sekuestrimin e pasurisë për ish-kreun e Kushtetueses Bashkim Dedja dhe gjyqtarët Shkëlzen Selimi dhe Fatos Lulo.
Ndaj tyre u zbatua ligji antimafia dhe më shumë gjasë shumë shpejt ata do të përfundojnë në gjykatë për fshehje pasurie. E njëjta skemë u ndoq ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, të cilit fillimisht iu sekuestrua pasuria dhe më pas u mor i pandehur. Hetimi i SPAK ndaj tyre nisi pas padisë nga avokat Fran Dashi. Ai paditi mbi 20 të ngelurit në veting, ku ish-anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë kaluan për kompetencë te SPAK, ndërsa emrat e tjerë u kaluan te prokuroritë e rretheve.
Në këtë linjë do të thotë se SPAK me shumë gjasë do të zbatojë ligjin antimafia edhe ndaj emrave të tjerë. Emrat e paditur janë Xhezair Zaganjori, ish-kreu i Gjykatës së Lartë; Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese; Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese; Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë emrat e tjerë janë ish-gjyqtarë apo prokurorë të shkallëve të para ose të Apelit. Sipas burimeve, hetimet e SPAK po avancojnë dhe do të ketë surpriza. Nga ana tjetër SPAK po vendos precedent dhe për prokurorët e rretheve. Deri më tani janë mbi 200 njerëz të larguar nga sistemi i drejtësisë për shkak se nuk justifikojnë pasurinë. Nëse shohim precedentin e SPAK, të gjithë këta emra rrezikojnë që të dërgohen për gjykim dhe t’u sekuestrohet pasuria.
67 gjyqtarë e prokurorë nën hetim
Në raportin vjetor të vitit 2020, SPAK ka dhënë sinjale se do të ketë shumë goditje të bujshme në sistemin e drejtësisë. Plot 67 gjyqtarë dhe prokurorë janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pasi dyshohet se janë të përfshirë në afera korrupsioni. Sipas SPAK, gjatë vitit 2020 janë 67 persona të hetuar për veprën penale të parashikuar nga neni 319/ç që ka të bëjë me “Korrupsionin pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Ky nen parashikon dënim deri në 10 vite burg për ata që shpallen fajtorë. “Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”, thekson neni.
Më tej bëhet e ditur në raport se nga 67 persona të hetuar, 2 janë dënuar nga gjykata. “Për veprat penale të parashikuara nga nenet 319 – 25 dhe 319/ç e 25 të Kodit Penal është urdhëruar ekzekutimi i dy vendimeve të Gjykatës, e cila ka dënuar pesë autorë veprash penale. Masat e dënimit të caktuara nga Gjykata variojnë 1- 2 vjet burg, pezullim i ekzekutimit të dënimit me burgim e vënien në provë, si dhe dënimin plotësues të heqjes së të drejtës për ushtruar funksione publike për një kohë prej 4 vjet”, thekson raporti.
Nga ana tjetër rezulton se një pjesë e tyre janë vënë dhe në përgjim nga Prokuroria e Posaçme. “Në vitin 2020, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë ato çështje të hetuara për veprën penale të korrupsionit (nenet 244, 245, 245/1, 258, 259, 319, dhe 319/ç) me 49 procedime penale/368 pajisje fundore/322 subjekte”, thuhet në raport. Nenet 319 dhe 319/ç kanë të bëjnë pikërisht me korrupsionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas burimeve pritet që të plasin arrestimet në ditët në vijim.