Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi inspektoi ditën e djeshme infrastrukturën e përkohshme për pritjen e stërvitjes “Defender 21” në pjesën ushtarake të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Peleshi u shpreh se kjo stërvitje jep mesazhe të rëndësishme për rolin që vendi ynë ka, rëndësinë strategjike si dhe zhvillimet gjeopolitike.
Sipas tij, pritja e kësaj stërvitjeje do të na bëjë akoma dhe më shumë aleatë të fortë me partnerët tanë strategjikë. “Bëhet fjalë për një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe e ndodhur ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon. Është një stërvitje, e cila jep mesazhe të rëndësishme për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe për rolin që vendi ynë ka dhe do të ketë në të ardhmen në të gjitha zhvillimet gjeopolitike duke patur në krah aleatë shumë të fortë.
Partneri ynë më strategjik që, le të themi janë Komanda Europiane e SHBA, është organizatore e kësaj stërvitjeje, natyrisht në kuadrin e NATO-s, me pjesëmarrje të madhe të trupave amerikane, por edhe të vendeve të tjera pjesë e Aleancës. Ne jemi vend pritës dhe do të marrim pjesë me rreth 1000 efektivë aktivë”, u shpreh ai. Ministrit tha se së bashku me shefin e Shtabit të FA, inspektuan facilitetet e nevojshme për pritjen e më pas për vazhdimin e stërvitjes. Sipas Peleshit në ditët në vazhdim, vendi do të vizitohet shpesh nga NATO, Komanda Supreme Operacionale e saj dhe Komanda Europiane e SHBA.
“Unë sot kam ardhur me shefin e Shtabit të FA, gjeneralmajor Begaj, për të parë pikën hyrëse të trupave që do të ulen në pistën e Rinasit. Këtu janë facilitetet e nevojshme për të pritur edhe më pas sipas planit, vazhdon stërvitja. Do të kemi vizita shumë të rëndësishme në ditët në vazhdim nga NATO, nga Komanda Evropiane e SHBA, Komanda Supreme Operacionale e NATO-s që siç e thashë fokusohen tek rëndësia dhe mesazhet strategjike të kësaj stërvitje për vendin” u shpreh ai. Për stërvitjen ushtarake “Defender 2, foli edhe Koloneli amerikan Joseph Scrocca, i cili dje në një takim online me shtypin deklaroi se Shqipëria është një aleate e vendosur e NATO-s dhe një partnere e vlerësuar e sigurisë në nivel rajonal dhe global.
Disa ditë para nisjes së stërvitjes “Defender 21”, shefi i shtabit të ushtrisë shqiptare, gjeneral major, Bajram Begaj u shpreh se Komanda Amerikane e Europës dhe Afrikës e vlerësoi Shqipërinë, duke e zgjedhur për këtë stërvitje me rëndësi. Sipas tij, SHBA ka shprehur vendosmëri se janë garant të sigurisë dhe mbrojtjes së Europës dhe Ballkanit Perëndimor.