Një tjetër protestë është zhvilluar pasditen e sotme në hyrje të selisë së Partisë Demokratike, ku një gup i aktivistëve të kësaj force politike kanë kërkuar hapjen e garës reale për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Në fjalën e tij ish-nënkryetari i FRPD-së Lisandër Hoxha, paraqiti një platformë me 5 pika, të cilën ai dhe përkrahësit e mendimit ndryshe kërkojnë të zbatohet nga kryedemokrati Basha.
Në platformë parashikohet pranimi i krizës, kërkimi i faljes, hapja e partisë për të larguarit si dhe organizimi i një gare reale ku çdokush mund të paraqesë alternativën e tij.
“Unë dua t’iu paraqes një platformë me 5 pika në shërbim të së ardhmes së Partisë Demokratike.
Së pari duhet të pranojmë që kemi një krizë. Këtë e thontë të gjithë, e dinë dhe demokratët dhe shqiptarët, të cilët po presin biletat për të emigruar pas 12 viteve në pushtet të Partisë Socialiste.
Që kemi krizë në vend, kjo dihet. Pranimi i krizës është zgjidhja dhe jo shmangia e saj. Ka ardhur koha që ne t’i japim zgjidhje.
Pika e dytë është hapja e debatit publik me sens përbashkues, një gjë e tillë i bën mirë Partisë Demokratike.
E treta ështrë paraqitja e platformave, nuk ka vetëm lidershipi platforma, por kanë dhe të tjerët të cilët nuk kanë ku t’i paraqesin. Ju ftoj të ngrejmë një tavolinë përbashkuese. Nuk janë armiq ata që kanë mendim ndryshe. PD është partia e lirisë dhe nuk mund të mbyllemi ne dhe mos të lejojmë mendimin ndryshe.
Së katërti, të kërkohet falja për çfarë ka ndodhur mes palëve. Për të mirën e demokratëve të ulemi në tavolinën përbashkuese.
Së pesti ne si forcë politike të garantojmë një proces të brendshëm të rregullt zgjedhor. Nëse do ngrihemi mbi bazën e një lideri të ri përmes zgjedhjeve të lira, Partia Demokratike do të vijë më shpejt në pushtet dhe jo për 4 vite”, tha Hoxha.