Pavarësisht se presidenti Ilir Meta po lëviz gjithë gurët për të bllokuar reformën në drejtësi dhe bërjen funksionale të organeve të reja të drejtësisë, është hapur rruga për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me 9 anëtarë dhe forcimi i kompetencave të Prokurorisë së Posaçme. Në 23 mars të këtij viti, Parlamenti i Shqipërisë miratoi me shumicë të cilësuar ndryshimet e ligjeve të reformës në drejtësi.
Bëhet fjalë për plot 10 ligje të reformës, të cilët janë ndryshuar për t’i dhënë mundësi kryesisht Gjykatës së Lartë dhe Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të ecin më shpejt me dosjet e grumbulluara ndër vite.
Hapet rruga për plotësimin e Kushtetueses
Por dy ditë më parë presidenti Meta nuk i dekretoi këto ndryshime me arsyetimin se Kuvendi ka bërë shkelje gjatë hartimit dhe miratimit të tyre, ndërkohë që Komisioni i Ligjeve u mblodh dje dhe pas shumë diskutimesh, i rrëzoi dekretet e kreut të shtetit. Këto ligje pritet që të miratohen në seancën plenare të së martës që vjen dhe më pas pritet të botohen në Fletore Zyrtare, duke i hapur kështu rrugë plotësimit të Kushtetueses dhe forcimit të SPAK.
Aktualisht në Kushtetuese kanë dërguar anëtarët, Kuvendi e Presidenti dhe 3 anëtarë duhet që t’i dërgojë Gjykata e Lartë. Kjo e fundit ka mungesë gjyqtarësh dhe nuk plotëson kuorumin e përzgjedhjes së emrave. Ligji aktual parashikon që duhet të marrin pjesë rreth 14 gjyqtarë që të përzgjidhen kandidatët e Kushtetueses ose më saktë 2/3 e tyre.
Mirëpo, me ndryshimet e fundit, mazhoranca e uli në ½ të anëtarëve këtë përcaktim. Pra me rreth 10 anëtarë mund të zgjidhen 3 emrat e fundit. Kështu, që duke filluar nga dita kur këto ndryshime hyjnë në fuqi, i hapet rruga plotësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka asnjë pengesë. Po ashtu, miratimi i 10 ligjeve në fjalë i hap rrugë edhe forcimit të kompetencave të Prokurorisë së Posaçme.
Ky institucion me ligjin aktual kishte në fokus edhe goditjen e korrupsionit në nivel të ulët si për shembull një polic për 5 mijë lekë të vjetra, por me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve që presidenti Ilir Meta refuzoi t’i dekretonte, SPAK do të merret me hetimin e korrupsionit në nivele të lartë zyrtarësh dhe politikanësh. Pra, mes 10 ligjeve që ndryshojnë janë edhe ata që rregullojnë kompetencat e SPAK-ut dhe i hapin rrugë plotësimit të Gjykatës Kushtetuese.
Komisionin i Ligjeve rrëzon Metën
Mirëpo, ka qenë Komisioni i Ligjeve, ai i cili u mblodh ditën e djeshme dhe që i dha goditjen presidentit Ilir Meta, sa u takon ndryshimeve në 10 ligjet e reformës në drejtësi. Të pranishëm në mbledhje nga Presidenca ishte këshilltari i presidentit Meta, Bledar Dervishaj, i cili gjatë fjalës së tij, akuzoi Kuvendin e Shqipërisë se këto ndryshime i bëri pa u konsultuar me gupet e interesit dhe i kaloi me procedurë të përshpejtuar.
Por këto pretendime u kundërshtuan fort nga relatorja Vasilika Hysi, e cila theksoi se ndryshimet ligjore janë bërë konform të gjitha rregullave e madje edhe duke u konsultuar me grupet e interesit dhe ndërkombëtarët si misionin Euralius apo OPDAT. Më pas, pas diskutimeve deputetët e Komisionit të Ligjeve votuan ndryshimet siç ishin, duke rrëzuar kështu Metën. “Dekreti i Presidentit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”; Dekreti i Presidentit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”’;
Dekreti i Presidentit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar””; Dekreti i Presidentit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; Dekreti i Presidentit të “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuara””, deklaroi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.