Nga Ilir Levonja
E kam nëmur ta çoj nëpër mend për rracën dhe sojin tim. Jam shqiptar e dhimbjen e kam prej gjaku, jo prej loti. Ndaj e kemi midis oborrit të fjalëve edhe atë togun e ofshamave që, halli im mos i rënte as hasmit. E kam nëmur shpirtërisht dhe ekzistencialisht si qenie, jo më ta shoh me sy.
Në fund të fundit përse jam shqiptar? Ndofta nga ndjesia e të pasurit në memorie rracën a sojin kujt edhe i përket, si, një tërësi fisnikësh. Ndaj më e shumta prej nesh mbajmë në mendje ato biseda me gjyshërit, mbi hidhërimet (vakitë) e gëzimet. Sidomos kur në shoqëri, një fqinji, një të afërmi i ndodhte gjëma, nxitonim, nxitojmë…, si e si t’i gjendeshim. Për shkak të varfërisë së skajshme edhe materialisht. Por parësore ishte t’i gjindeshim. Ta ndihmonim të mbante mendjen në vend, pasi përballë fatkeqësive jemi të gjithë jetim. Madje edhe po të ishim të zemëruar, i riktheheshin dashurisë për njëri-tjetrin me ngrohtësinë e mëparshme. Falja na bënte akoma më fisnikër sa na kishin zili edhe misionarët e Jezusit e Muhamedit. Përse? Sepse një humbje e tillë është e pariparueshme.
Kurrë nuk kisha për ta besuar se të qenit me bindje, duhet medoemos të të transformojë ndjenjën e njeriut deri në një psikopati. Mund të të transformojë sëmundja. Dhe kjo prapë na bën solidar me atë që e ka për rrisk. Na mbledh në ato hallet tona kokë më kokë. Sepse sëmundja është një fatkeqësi dhe ne prapë themi atë, halli im mos i rëntë për pjesë as hasmit. E mbajmë brenda vetes dhimbjen. Të urtët ne. Në ato korridore a oborre ku kërkojmë e i gjindemi shoqi-shoqit. Por ja që qenka e vërtetë. Aq sa tëmthat e kokës janë gati të plasin.
Mirë ata shefat e ”mëdhenj” që e kanë kulturë, modë, taktikë, strategji etj…, fiksimin dhe psikopatinë. Se ndryshe nuk kishin përse të ndodhnin vrasjet enigmatike, torturat, zhdukjet, deri luftrat, a konfliktet e mëdha të njerëzimit. Por ne njerëzit e thjeshtë, ne njerëzimi i halleve të mëdha. Si transformohemi kështu e bëhemi monstra të mirëfillta. Me mendje që nuk ta rrok mëndja.
Nuk i besoja syve tek lexova statusin tënd. Dhe me të drejtën njerëzore mund edhe të gërhushem me mijra fjalë fyese, përbuzëse. Por nuk e bëj. Ja ke bërë vetes. Mund t’ia kërkoj edhe të tjerëve këtë favor, pasi e shoh që një lum njerëzor të është zbrazur me gjithfarësoj, që të lënë në mëshirën e mendjes tënde. Pasi ai ëngjull i bukur ka nevojë për prehje, qetësi. Për më tepër prindërit. Se është peshë e rëndë me qënë i tillë. Të të lënë në atë sadisfaksionin tënd prej … nuk e di se çfarë emri t’i vë. Por si qytetar do i bëja një thirrje publike komunistëve, partisë. Se po shoh që je e organizuar, dhe, ke kandiduar. Të distancohen prej teje një orë e më parë. Ndryshe do vazhdoj të besoj atë që komunisti nuk ka as fe, as komb e as rracë e soj njeriu.