Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ditën e djeshme me anë të një videoje në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar pamje të zbarkimit të mjeteve dhe trupave amerikane në portin e Durrësit, të cilët do të marrin pjesë në stërvitjen “Defender 21”.
Peleshi deklaroi se gjithçka është gati për të nisur stërvitjen e madhe. “Nga porti i Durrësit ku vazhdon me ritëm zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane. Gjithçka gati për të çelur stërvitjen e përbashkët më të madhe, të zhvilluar në Shqipëri, nga ushtria amerikane dhe forcat tona të armatosura në kuadër të NATO, Defender Europe 21”, deklaroi Peleshi.
Ai po ashtu priti në një takim Komandantin e Ushtrisë Amerikane në Europë dhe Afrikë, Gjeneral Christopher Cavoli. Teksa i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Gjeneral Cavolit, Peleshi e njohu atë me masat e marra nga vendi për zhvillimin e kësaj stërvitjeje. Sipas tij Shqipëria është e gatshme për të rritur prezencën e stërvitjes Defender, por edhe të mirëpresë seri të tjera të saj në të ardhmen.
“Jam besimplotë se kjo stërvitje do të shërbejë si gur themeli për çuarjen përpara dhe intensifikimin e stërvitjeve dypalëshe, Shqipëri-SHBA. Pala shqiptare jo vetëm është e gatshme për të rritur prezencën në stërvitjet e tjera Defender jashtë kufijve, por dhe për të mirëpritur serinë e Defender-it ‘23 dhe ‘25 në të ardhmen, po në Shqipëri.
Dua të falënderoj Gjeneral Cavolin për mbështetjen e pakursyer që SHBA-të kanë dhënë dhe vijojnë të japin për modernizimin e Forcave të Armatosura të RSH-së, me qëllim rritjen e nivelit të tyre të gatishmërisë, operacionalitetit dhe ndërveprueshmërisë, për të qenë në lartësinë e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes të kohës në të cilën jetojmë”, tha ai. Ndërkohë Gjeneral Cavoli theksoi rëndësinë që kanë stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta për të cilat u shpreh se rrisin nivelin e ndërveprueshmërisë ndërmjet aleatëve. Sipas tij, Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë do të vazhdojë mbështetjen dhe stërvitjen e përbashkët me FA.
“Stërvitja Defender 21 është cilësuar si një mundësi e shkëlqyer që ushtarakët shqiptarë dhe ata amerikanë, të stërviten së bashku në mënyrë që, ata do të jenë të aftë që në të ardhmen të përballojnë sfidat, po së bashku. Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë, do të vijojë të planëzojë dhe zhvillojë stërvitje të përbashkëta me FA, si dhe do të mbështesë në vijimësi procesin e modernizimit të tyre”, tha ai.