Zbardhet dosja me 41 faqe që Partia Socialiste do të përdorë si “armë” kundër presidentit Ilir Meta. Ky i fundit prej kohësh është zhveshur nga kostumi i kreut të shtetit, ndërsa përveçse është marrë me fushatë elektorale, ka bërë herë pas here edhe thirrje për kaos dhe përmbysjen e qeverisë me dhunë.
Por kjo qasje dhe sjellje e presidentit Meta duket se nuk është kapërdirë dot nga mazhoranca socialiste, pasi pas paralajmërimit të lëshuar pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama se shumica socialiste do të nisë proceduarat për ta shkarkuar si president, është hedhur hapi i radhës.
PS ka konkretizuar dje nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra, ku janë plot 49 deputetë të Partisë Socialiste të Parlamentit aktual që kanë firmosur dhe mbështesin me forcë kërkesën për të ngritur një komision hetimor kundër kreut të shtetit. Socialistët pretendojnë se presidenti Meta ka kryer shkelje të Kushtetutës, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, ndërkohë që gazeta ka siguruar dosjen e plotë, ku renditet me argumente në plot 41 faqe, gjithë veprimtari anti-ligjore e Metës dhe arsyet se përse ai duhet shkarkuar.
Thirrjet e Metës nxitën vrasjen në Elbasan
Kështu, në dosje thuhet se nisma për shkarkimin e presidentit Ilir Meta vjen me qëllimin e sigurimit të besueshmërisë së popullit te roli i kreut të shtetit dhe si një nevojë e shteti të së drejtës. Po ashtu, socialistët që kanë firmosur shprehen se janë të bindur se presidenti Meta gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën, siç janë thirrjet e tij për dhunë apo edhe gjuha e ashpër e përdorur që solli edhe vrasjen në Elbasan.
“Kjo situatë pa diskutim që mund të përdoret nga subjektet politike për manovra që pengojnë zgjedhjet sipas interesave të ngushta partiake, të dëmtojnë interesin e përgjithshëm kombëtar dhe rrezikon krijimin e precedentëve të rrezikshëm për demokracinë, ku zgjedhjet e lira dhe periodike janë një nga themelet e mirëfunksionimit të saj.
Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në kërkesë.
Meta kërkoi dhunë dhe cenoi raportet me ndërkombëtarët
Po ashtu, socialistë akuzojnë presidentin Ilir Meta se ka bërë thirrje për dhunë dhe deklarata këto që sipas tyre, kanë ndikuar në raportet mes Shqipërisë dhe ndërkombëtarët, duke i cenuar ato.
“Mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, policisë, përfaqësuesve të misioneve diplomatike, çuan në cenimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me botën dhe cenimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon. Këto mesazhe, sjellje dhe akte të përsëritura të Presidentit në abuzim, tejkalim dhe shkelje të kompetencave të njohura nga Kushtetuta konsistojnë në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Ligjeve të vendit”, thuhet në kërkesë. Ndërkohë në dosje, si argument socialistët kanë renditur edhe thirrjet politike të Metës, që sipas PS, ka bërë hapur fushatë elektorale në dobi të opozitës.
“Presidenti ka cenuar rëndë barazinë e konkurrimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që ka Kushtetuta dhe që ia ka veshur Presidentit të Republikës. Ky i fundit në vend që të ishte neutral, i paanshëm dhe i pavarur, ka nxitur konfliktin. Ai zhvilloi aktivitet partiak dhe tregoi anësinë e tij për opozitën e vendit”, thuhet në dosje.
Ndërkohë në dokumentin e firmosur nga 49 deputetë të Kuvendit për të nisur procedurat për shkarkimin e Ilir Metës janë bashkëngjitur një sërë provash që sipas firmëtarëve vërtetojnë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij politike, sikundër është thirrja që qytetarët duhet të mprehin sfurqet dhe lopatat për të mbrojtur votën.
Përplasjet me Yuri Kim
Por në kërkesën që 49 deputetë të Partisë Socialiste i kanë dërguar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, si prova që do përdoren, janë edhe deklaratat e kreut të shtetit ndaj ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
Kjo e fundit i kërkoi presidentit të mos përmendë më “sfurqet”, ndërsa Meta iu përgjigj live në një studio televizive, duke i kërkuar që të mos merrte në mbrojtje kryeministrin Edi Rama. “Tani live sapo më shkruajti ambasadorja Yuri Kim për të mos përmendur më sfurqet. I them ambasadores amerikane live që të mos marrë më në mbrojtje Edi Ramën. Meqë më dërgoi live sms i them ambasadores amerikane mos e mbështet Edi Ramën.
E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre në punët e brendshme të Shqipërisë në këtë mënyrë të njëanshme. Deklarata e Yuri Kim është një turp dhe e ftoj ambasadoren të vijë tani live në studio bashkë me Edi Ramën të ballafaqohemi para shqiptarëve”, argumentohet në kërkesë.