Deputeti i konfirmuar tashmë i PS-së në Durrës, Lefter Koka ka sulmuar presidentin Ilir Meta. Në një intervistë televizive ai u shpreh se presidenti Ilir Meta nuk është larguar kurrë nga drejtimi i LSI edhe pse gjatë këtyre viteve ka qenë kreu i shtetit. Ai theksoi se presidenti interpreton ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Meta nuk është larguar kurrë nga LSI. Edhe Berishën e ri dhe të vjetër e kam parë, shoh edhe Metën që interpreton Berishën, por përveçse më kanë dhënë forcë më kanë bërë të punoj më shumë në këto zgjedhje. Në Durrës mandati im është i merituar”, tha ai. I pyetur lidhur me akuzat e bëra nga presidenti ndaj vëllait dhe djalit të tij për sulme politike dhe blerje votash, Koka u shpreh se kjo është e pahijshme. Ai tha se nuk do t’ia përmendte kurrë fëmijët presidentit Meta.
“Meta ka marrëdhënie personale me tim vëlla dhe nuk e kuptoj se si në një ditë është me të dhe në një ditë kundër tij. Me tim bir s’jam ndjerë mirë. Të shohësh edhe një fëmijë si kundërshtar dhe ta kundërshtosh si armik është e pahijshme. Kam ndenjur me presidentin dhe s’do ta mendoja kurrë që t’i përmendja fëmijët”, deklaroi. Deputeti Lefter Koka, po ashtu, ka zbuluar edhe marrëdhënien e tij me Monika Kryemadhin pas vitit 2017. Koka u shpreh se marrëdhënia e tij me kryetaren e LSI nuk kanë qenë si më parë. Ai vijoi më tej duke thënë se në takimet e zhvilluara në këtë parti nuk flitej për rolin e partisë.
“Pas 2017 marrëdhëniet e mia kanë qenë shumë të zbehta dhe me Kryemadhin takimet kanë qenë inekzistente. Nuk kishte më takime për të diskutuar për një kryesi, aty flitej pa lidhje, diskutohej për parfumeri dhe nuk kishte vend më për Naçon edhe mua”, tha Koka. Teksa foli për deputetët e larguar nga kjo forcë politike ai tha se deputetët e vitit 2013 nuk iu bashkuan asnjë force tjetër politike. Ai theksoi se kur largohesh nga një forcë politike nuk duhet që të jesh aktiv më në politikë. “Deputetët e 2013 janë që të gjithë të larguar. Ndryshimi im me ta është se ata u larguan dhe nuk u bashkuan më me një forcë politike. Ky është qëllimi që kur largohesh duhet të jesh pasiv se ata të kanë krijuar, ata të kanë dhënë oksigjen, ata të kanë dhënë jetë”, tha Koka.
Naço flet për largimin nga LSI
Ndërkohë edhe ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e LSI, Nasip Naço në një intervistë televizive ka folur për arsyet e largimit nga LSI dhe bashkimin me Partinë Socialiste. Naço u shpreh se kishte vendosur të largohej nga politika pas ikjes nga LSI, por ftesa e zotit Rama dhe kërkesa nga disa ish-mbështetës të LSI bëri që ta pranonte atë.
“Jam shumë i qetë me lidershipin dhe nuk jam i qetë me elektoratin që më kanë besuar. Në momentin që kam dorëzuar mandatin unë jam zero, zero me ta. Ndërsa atyre që më kanë votuar u jam borxhli. Para se të largoheshim nga Parlamenti ne kishim gati 19 deputetë. Unë i jam përgjigjur Ramës në dhjetor. Unë kam dashur të largohesha nga politika. Pas kësaj kërkese të zotit Rama dhe disa mbështetësve të LSI vendosa ta pranoj”, tha ai.
Duke folur për arsyet që e shtynë të ikte nga LSI, ish-ministri i Drejtësisë deklaroi nëse lidershipi i LSI do e kishte ftuar qoftë edhe për një kafe, atëherë ai do të vazhdonte të kontribuonte për ish-partinë e tij. Ai më tej e konsideroi si tepër të rëndë faktin që lidershipi e largoi nga partia duke thënë se nuk ka nevojë për vlerat e tij. “Jua them sinqerisht nëse lidershipi i LSI do të më kishte ftuar qoftë dhe për një kafe do vazhdoja të kontribuoja duke i mbështetur në skalonin e dytë dhe të tretë. Jo nuk do kandidoja. Por mënyra tinëzare e të larguarit për të thënë që ne ju largojmë se s’keni vlera”, deklaroi ai.