Do të themelohej dega e PD-së në Shkodër. Kishin ardhur të deleguarit dhe nuk e fillonin mbledhjen pa e gjetur Pjetër Arbnorin. Mbledhja do të bëhej në shtëpinë e Mark Mhillit, një shtëpizë e vogël, në një rrugicë të vjetër shkodrane, në Gjuhadol, i thonë lagjes.
Nga Bedri Islami
Pas ngjarjes së ndodhur në varrezat e “Dëshmorëve të Atdheut”, jo rastësisht, militantë dhe liderë të PD-së, njëkohësisht, si të ishte pritur, reaguan duke mbështetur ata që goditën disa veteranë të luftës antifashiste.
Tanimë kjo ngjarje është, si rrallëherë, tejet e diskutuar dhe, natyrisht, për ata që mendojnë normalisht, ishte një akt rrugaçësh politikë, të cilët e kanë lidhur veprimin e tyre jo edhe aq me figurën e një drejtuesi të dikurshëm, qoftë edhe diktator si Enver Hoxha, por me një linjë më të hershme , qëndrimin e tyre ndaj Luftës.
Mes atyre reagimeve që mbështesnin dhunën, ajo që më bëri më tepër përshtypje ishte nga një ish-drejtues i lartë i PD-së, i dëbuar prej saj në fillimin e zgjedhjeve të vitit të shkuar dhe që tani mëton të krijojë një parti të re të së djathtës, të distancuar nga ajo që ka ndërtuar në vitet e fundit Basha, nën hijen e Berishës.
Po e citoj:
“Por nëse duhet të zgjedh patjetër mes atyre që dalin të manifestojnë në 5 maj me fotografinë e Enver Hoxhës, dhe të tjerëve që u qëllojnë atyre me shkopinj, unë preferoj të dytët”.
Tepër shkurt e qartë: Unë preferoj ata që godasin me shkopinj!
Në të vërtetë, në gjithë këto vite histori postkomuniste, që në fakt nuk do të thotë se është demokratike, por një demodiktaturë, duhej shtruar shpesh herë pyetja: Kush e do drurin? Cilin e ka bërë hak të merret, jo si ata falangistët budallenj, që mendojnë se duke rrahur disa pleq do të jenë përsëri deputetë, si ai Babasi, por seriozisht, duke i treguar se në gjithë këto vite ky vend është lodhur prej tyre dhe se, në mos e kanë kuptuar këtë, dikush duhet që ligjërisht t’ua tregojë?
Asnjëherë në jetën e saj politike, por edhe praktikisht, mitingashët dhe liderët pëdëistë, nuk e kanë shfaqur shenjën më të vockël të respektit ndaj luftës antifashiste. Asnjëherë. Fakti që duke u shfaqur në anën e kundërt të barrikadës që menduan të ringrenë pas vitit 1991, ata morën në duart e tyre si shenjë përdalluese luftën kundër komunizmit, nuk i bëri ata as demokratë, as të civilizuar, as me një mendim e vizion ndryshe për Shqipërinë.
Duke qenë skalioni i dytë i ligjërimit politik komunist në Shqipëri, ata shkulën çdo ndjenjë respekti ndaj vendit, e bënë mish-mash çështjen e ish të përndjekurve politikë, deri në atë shkallë, sa që, në fund, edhe i dëbuan krejtësisht nga partia e tyre. Ajo që ishte piketuar në fillimin e lëvizjes demokratikase, si një forcë politike e legjionit të dytë komunist, ajo u realizua tashmë gjithandej dhe, mendimi i përshfaqur dikur, jo shumë larg në kohë u shndërrua në atë pikërisht që përflet ish-deputeti i dëbuar nga partia e tij: në shkopinjtë e politikës shqiptare.
Në afër 3 dekada lëvizje pluraliste, pa arritur kurrë cakun e duhur të demokracisë, ajo që ka penguar më tepër ecurinë e këtij vendi, është pikërisht perceptimi i politikës si goditje, si forcë dhe si ashpërsi deri në fund. Që nga nata e fatalshme, që mund të ishte edhe e gjakosur, e sulmit të falangës së parë pëdëiste mbi Shkollën e Bashkuar të oficerëve, brenda së cilës ishte në roje edhe presidenti i mëvonshëm demokrat, Nishani; që nga dita e panjohur ende e 2 prillit, si premisa e përgjakjes me çdo kusht për të marrë pushtetin, nga shembja e qeverisë së parë pluraliste, e quajtur qeveri teknike, prishja e së cilës, si kishte parashikuar ish-ministri demokrat i ndërtimit, do të sillte gjak, e deri në aktin e fundit rrugaçëror, do të jenë aq shumë bëma të një natyre fashistoide, sa që, jam i bindur, asnjë ish i burgosur politik, apo nga familjet e përndjekura politikisht, nuk do e kishin bërë.
Për këtë jam i bindur, por edhe nga që, asnjëri prej tyre, që ishte vërtet disident i pushtetit dhe nga familjet e dëshmuara historikisht për vendin,pavarësisht se nuk e donin pushtetin, nuk do të kishte pranuar të shkatërronte Shqipërinë, për të pasuar salixhinjtë e shumtë.
Të godasësh një grup pleqsh që ora e tyre ka mbetur në një kohë të dikurshme, është gjëja më e lehtë në botë, sidomos kur atyre u vë përpara një grusht mitingashësh falangistë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë edhe shumë më tepër se kaq. Ata e kanë provuar veten se edhe mund të mobilizohen, pas një urdhëri të ish presidentit, si ndodhi në vitin 1997, dhe të armatosur, pa asnjë lloj ideje se kush është “armiku”, të sulmojnë për të ruajtur pushtetin e një njeriu , që i çartur mendsh, është thirrur për të çartur Shqipërinë.
Nëse komunistët vendosën forcën para mendjes dhe kontrollin mbi idenë, nëse ata ngritën një regjim që e vetëquajtën diktaturë, e njëjta gjë ndodh edhe tani me shqupasit, por, fuqia e tyre nuk është e njëjtë. Nëse do të kishin mundur të zbatonin pikërisht këtë famëkeqe bindje se, “ unë preferoj të dytët”, ata që qëllojnë me shkopinj, do të kishin bërë shumë më tepër, si atë që bënë në Gërdec, si atë që bënë në vitin 1997, ku numri i të vrarëve nga dhuna e rrugës e kaloi numrin e të vrarëve nga diktatura e pushtetit.
Nuk e kam treguar asnjëherë një ngjarje, të cilën, më duket se e ka botuar edhe gazeta “Koha Jonë”, por që e kam dëgjuar nga të pranishmit në atë mbledhje.
Do të themelohej dega e PD-së në Shkodër. Kishin ardhur të deleguarit dhe nuk e fillonin mbledhjen pa e gjetur Pjetër Arbnorin. Mbledhja do të bëhej në shtëpinë e Mark Mhillit, një shtëpizë e vogël, në një rrugicë të vjetër shkodrane, në Gjuhadol, i thonë lagjes.
Kur Pjetri erdhi dhe do të bëheshin zgjedhjet, dikush, si duket i porositur, menjëherë propozoi që drejtues i degës së ishte Pjetër Arbnori. Në të vërtetë ky ishte shumë më demokrat se ata që kishin ardhur në emër të demokracisë, por kishte qenë shumë vite i burgosur politik, dhe, për më tepër, babai i tij, njihej si një njeri që i kishte shërbyer forcave pushtuese.
I vetmi që kundërshtoi do të ishte Arben Broci. Pse e kundërshtoi? Nuk kishte gjë me Pjetrin. Besoj se atë natë e kishte njohur. Ai, Arben Broci, tha vetëm se përmes figurës së Pjetrit si drejtues i PD-së, shumë njerëz do të shohin revanshin jo bashkimin, do të shohin e do të mendojnë se zgjodhëm një njeri që vërtet ka qenë në burg si disident, por edhe nga një familje që ka pasur qëndrim tjetër gjatë luftës. Do na thonë se është revansh dhe ne nuk jemi për revansh.
I ati i Arben Brocit, Beqiri, kishte qenë edhe ai i dënuar politik. E kam njohur mirë, kemi pasur shtëpitë në oborrin e njëri tjetrit.
Sidoqoftë, Pjetër Arbnori u zgjodh drejtues i Degës së PD-së.
Kur ishte vendosur, në mbylljen e mbledhjes së parë, Arben Broci i thotë shokut që kishte në krah, edhe ai student, më pas i mërguar në Greqi a diku tjetër:
-Do ja shoh sherrin kësaj që thashë. Dikush nuk e do paqtimin.
Arben Broci nuk udhëtoi gjatë në jetën e tij politike. Por parashikimi i tij ishte fatal.
Demokratikasit, që kishin patur mbështetjen e gjerë të vitit 1992 dhe ditën të fitonin luftën e parë elektorale, nuk ditën, ose më saktë, nuk donin të bënin paqen. Është një punë e vështirë, por e urtë ta ndalosh një fushatë përpara çastit kur fitorja kthehet në rraskapitje. Që në marsin e vitit 1992 demokratikasit në pushtet do të kishin mundur të bënin një traktat me njerëzit, duke hequr çdo frikë dhe kërcënim për të nesërmen.
Por ata nuk e deshën këtë; ata deshën të kishin gjithë pushtetin për vete dhe, përmes pushtetit, të kishin ankthin, frikën dhe pasigurinë si armën e pasurimit të tyre.
Reminishenca e vjetër, si bazë e ligjërimit të pushtetit, të vjen keq që kërkon të drejtën e ligjshmërisë edhe tek figura politike që mund të mbjellin shpresë, që mund të jenë ndryshe, por që e shkuara ua ka lidhur këmbët fort, dhe, nëse do të futen edhe më tej në politikë me mendjen tek shkopi, një ditë, figurativisht, do e hanë edhe më të ndjeshëm se ky që u dha lideri që e zgjodhën përmes heshtje sdhe braktisjes së një shoku të tyre, shumë më idealist dhe më trim se të gjithë ata sëbashku.
Thonë, me të drejtë, se ku hyn paraja e pistë, mbytet idealizmi.
Atëherë, kush e do drurin?